Tiranë – “Falja e gjakut” dhe “Amnistia” vazhdojnë rrugëtimin e tyre drejt festivaleve ndërkombëtare të filmit, ku destinacioni i radhës është Çikago (SHBA).
Filmi “Falja e gjakut” i regjisorit Joshua Marston, pasi ka marrë aprovimin nga QKK për konkurimin në Oscar, do të prezantojë Shqipërinë në “Main Competition” të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Çikago, një kompeticion që përfshin një gamë të gjërë zhanresh, ku do të jepet çmimi i madh i festivalit, si dhe do të vlerësohen aktori, regjisori, skenaristi më i mirë.
Ndër kompeticionet e Festivalit të Filmit në Çikago është dhe ai i “Morld Cinema”, në të cilin prezantohen filma dhe aktorë të rinj nga i gjithë globi dhe ku Shqipëria do të përfaqësohet me filmin e Bujar Alimanit “Amnistia”.
Filmat që përfaqësojnë Shqipërinë në edicionin e 47-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Çikago, janë shfaqur premierë jashtë Shqipërisë. Përkatësisht “Amnistia” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, si i pari film shqiptar konkurues dhe “Falja e gjakut” në Festivalin e Berlinit, ku dhe ka fituar trofeun e “Ariut të Argjendtë” për skenarin më të mirë, shkruar nga Joshua Marston dhe Andamion Murataj.
“Falja e gjakut” do të prezantojë në Çikago një zakon të vjetër të shqiptarëve, gjakmarrjen që ngujon një familje dhe papritur përmbys të ardhmen e tyre. Jetët e Nikut adoleshent, dhe të motrës së tij më të vogël, Rudina, trazohen kryekëput kur një vrasje ndodh pas një zënke për një rrip toke, e cila e hedh familjen e tyre në gjak.
Ndërsa “Amnistia” do të prezantojë një tjetër realitet shqiptar. Një histori dashurie që lind gjatë rrjedhjes së jetës monotone të personazheve, por që përfundon tragjikisht dhe jo ashtu siç mund ta presësh. Elsa dhe Shpëtimi gjejnë tek njëri-tjetri shpëtimin nga gracka e vetmisë dhe dashurohen, ndërsa presin që të dy bashkëshortët e tyre të dënuar në burg të marrin amnistinë.
Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Çikago, i cili do të mbahet në datat 6-20 tetor, “Falja e gjakut” do të shfaqet në 8 dhe 9 tetor, ndërsa “Amnista” në 16 dhe 18 tetor. Publiku i Festivalit të Çikagos do të ketë mundësi të njihet me aktorët shqiptarë Luli Bitri, Karafil Shena, Todi Llupi, etj nga filmi “Amnistia” apo aktorët nga Kosova të “Faljes së gjakut” si Ilire Vinca- Çelaj, Çun Lajçi, Luan Jaha, Veton Osmani, Selman Lokaj, etj.
“Amnistia” ka fituar dhe tre çmime në Leçe si Çmimi CINEUROPA 2011, Çmimi FIPRESCI, Çmimi special i jurisë, gjithashtu ka marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar në Kopenhagen, Danimarkë. Ndërsa “Falja e gjakut” ka marrë pjesë në shumë festivale ndërkombëtare, ku ka konkuruar në kategorinë A dhe ka gjetur distrubutorë për t’u shfaqur në thuajse të gjitha vendet anglishtfolëse.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Çikago është festivali më i vjetër i kompeticionit të filmit në Amerikë. Edicioni i parë ka filluar në vitin 1964 nga regjisori Michael Kutza për të prezantuar një alternativë të re ndaj filmit komercial hollivudian që dominonte në atë kohë.
Monday, 26 September 2011 14:49