Lajme Shqip Monday, 26 September 2011 12:08

Gostivar – Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) ka një formulë lidhur me tejkalimin e kontestit të emrit dhe zhbllokimin e proceseve eurointegruese. Lideri i kësaj partie, Rufi Osmani, propozimin e tij e ka shpalosur edhe para diplomatëve perëndimorë, ambasadorit të ri amerikan Paul Volers dhe, së fundmi, pranë raportuesit të Parlamentit Evropian, Richard Howitt.

Duke u nisur nga  fakti se qeveria aktuale nuk tregon gatishmëri për të zgjidhur problemin në fjalë, edhe si rezultat i krizës në rritje të stabilitetit të sistemit financiar evropian, e vetmja alternativë do të ishte që BE dhe SHBA të insistojnë me çdo kusht në krijimin e një qeverie të koalicionit të gjerë.

Sipas këtij propozimi, qeveria e tillë do të merrte përgjegjësinë për tejkalimin e këtij problemi nëpërmjet vendimit në Parlament, ose duke e kaluar çështjen në referendum popullor. “Më pas, kjo qeveri, në cilësi të qeverisë teknike do të duhej të organizonte, së bashku me zgjedhjet e ardhshme lokale, edhe zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare”, ka nënvizuar Osmani në takimet me diplomatë europerëndimorë.

RDK ka vlerësuar se dy partitë më të mëdha maqedonase, nuk kanë vizion të qartë dhe dëshirë të tejkalojnë këtë problem madhor, i cili është shkaku kryesor i bllokimit të procesit të integrimit të vendit. (LajmeShqip.com)