Lajme Shqip Monday, 26 September 2011 11:38

Kakavijë – Doganierët grekë, në të gjitha pikat kufitare tokësore dhe detare që lidhin Shqipërinë me vendin fqinj, kanë paralajmëruar një tjetër grevë 48 orëshe, duke filluar nga nesër (e martë) në orën 07.00 të mëngjesit.

Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit për Qarkun e Gjirokastrës bëri të ditur të hënën se “prej orës 07.00 të ditës së martë deri të enjten në mëngjes, të gjithë punonjësit e doganës greke nuk do të procedojnë me shërbimet doganore për mjetet motorike, në shenjë proteste për reformat që ka ndërmarrë qeveria greke për shkurtimin e vendeve të punës në këtë sektor”.

Të njëjtat burime shprehen se dogana greke do të trajtojë vetëm këmbësorët dhe rastet e urgjencave, që do të kalojnë në këtë hark kohor përmes pikave doganore, ndërkohë që automjeteve do t’u duhet të presin përfundimin e grevës.

Një javë më parë, doganierët grekë të pikës Kufitare të Kakavijes organizuan një grevë të tillë, e cila zgjati 48 orë.

Në prefekturën e Qarkut të Gjirokastrës, në kufirin Shqipëri-Greqi, funksionojnë me kohë të plotë, dy pika të kalimit kufitar, ajo e Kakavijes, rreth 30 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, në drejtim të jugut dhe e “Tre Urave”, që ndodhet rreth 22 kilometra larg qytetit të Përmetit, në drejtim të perëndimit.

Ndërkohë që  pika kufitare e Sopikut në komunën e Pogonit, rreth 50 kilometra larg Gjirokastrës, funksionon vetëm për këmbësorët.