Minden – Ishte paraparë që shkrimtari austriak, Peter Hendke, më 30 tetor, të marrë çmimin gjermano-francez të Shoqatës së Shkrimtarëve të qytetit gjerman Minden e që mban emrin e heroit të Voltairit, Candide, i cili vdiq pikërisht në këtë qytet, por kjo nuk do të ndodhë.
Shkrimtari austriak nuk do ta marrë shpërblimin prej 15 mijë eurosh, për shkak të qëndrimit të tij proserb dhe i njohur si përkrahës i politikës së kasapit të Ballkanit, Slobodan Milosheviq.
Raportohet se sponsori i çmimit “Candid”, prodhues i makinave për libërlidhje “Kolbus”, ka refuzuar t’i ndajë mjetet e parapara. Ai ka thënë se nuk mund durojë qëndrimin e Handkes për Serbinë, Sllobodan Milosheviqin dhe luftërat e fundit në hapësirat e ish-Jugosllavisë.
Sipas mediave, Gerd Vosëinkel, kryetar i jurisë që ka vendosur t’ia ndajë këtë çmim pikërisht shkrimtarit kontrovers, ka thënë se “juria nuk do të dorëzohet karshi presioneve” dhe se Handkes do t’i ndahet çmimi por pa shpërblimin prej 15 mijë eurosh.
Peter Handke është shkrimtar dhe aktivist austriak me prejardhje gjermano-sllovene. Në fakt nëna e tij ka qenë sllovene përderisa babai i tij është i panjohur. Ai ka jetuar në Grac, Dyseldorf e më vonë në Paris, Kronenberg dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aktualisht jeton në qytetin francez Chaville.
Në vitet ’90 Handke shkaktoi mjaft polemika me esenë e tij “Drejtësi për Serbinë” kur akuzoi mediat dhe intelektualët perëndimorë se kanë marrë qëndrime joobjektive karshi luftërave në ish-Jugosllavi në dëm të serbëve. Për këtë opinioni perëndimor e konsideron apologjet të Slobodan Milosheviqit. Ai mori pjesë në varrimin e tij. Në shumë vende është persona non grata. Ai është deklaruar hapur edhe kundër pavarësisë së Kosovës. Më 2008 ai vizitoi fshatrat e banuara me serbë. Në fshatin Reti e Poshtme ndezi qirinj, siç ka kishte thënë ai, për viktimat serbe. Gjatë luftërave në hapësirat e ish-Jugosllavisë ka shkruar tri raporte të gjata me të cilët thërriste hapur kundër bombardimeve të NATO-s.
Monday, 26 September 2011 09:50