Lajme Shqip Sunday, 25 September 2011 18:48

Shkup – Pesë ditë para fillimit të regjistrimit kryetarja e Komisionit për Regjistrimin e Popullsisë (KRP), Vesna Janevska, ka dalë me deklarata kontradiktore rreth të drejtës se kush mund të regjistrohet.

Sipas saj, të drejtë regjistrimi kanë vetëm qytetarët të cilët jetojnë dhe veprojnë në Maqedoni, por jo edhe ata të cilët janë me punë të përkohshme në vendet e jashtme. Deklaratat e Janevskës bien ndesh me deklaratat e faktorit politik shqiptar, të cilët çdo herë kanë potencuar se regjistrimin mund ta bëjë secili anëtarë i familjes, në rast se posedon dokument nga personi i cili për momentin nuk gjendet në Maqedoni.

Në një prononcim të saj, kryetarja e këtij Komisioni, Vesna Janevska, të dielën ka deklaruar se të drejtë regjistrimi kanë vetëm qytetarët që jetojnë dhe veprojnë në Maqedoni, ndërsa regjistrimin e atyre që jetojnë jashtë vendit do ta bëjë shteti ku ata jetojnë.

“Qytetarët të cilët gjatë procesit të regjistrimit nuk gjenden në Maqedoni, nuk kanë të drejtë të regjistrohen. Këtë të drejtë e kanë vetëm qytetarët e Maqedonisë të cilët jetojnë, veprojnë e punojnë dhe janë taksapagues të këtij shteti. Numërimi i qytetarëve që nuk gjenden në Maqedoni, do ta bëjë ai shtet në të cilin ata veprojnë. Kjo është rregull e ‘EUROSTAT’-it, Bashkimi Evropian (BE) kërkon të dhëna të sakta për numrin e qytetarëve që jetojnë në Maqedoni dhe në bazë të kësaj do të bëhen politika avancuese, që kanë të bëjnë me përmirësimin e standardit dhe jetesës në Maqedoni”, ka thënë Janevska.

Ajo më tej theksoi se “nuk është me rëndësi se sa qytetarë jetojnë jashtë vendit, por duhen të dhëna të sakta se sa është numri i qytetarëve të Maqedonisë dhe në çfarë gjendje ekonomike jetojnë ata dhe a i paguajnë tatim shtetit, a e shfrytëzojnë të drejtën e shërbimeve shëndetësore apo benificioneve që ofron shteti”.

Por, me deklaratën e Janevskës nuk pajtohen anëtarët shqiptarë të KRP-së. Milaim Ademi, anëtar i këtij Komisioni, është distancuar nga deklarata e Janevskës, duke e konsideruar atë si një prononcim personal të saj dhe jo qëndrim të komisionit. Sipas Ademit, ligji është i qartë dhe ai e parasheh regjistrimin e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, pa marrë parasysh vendin se ku ndodhen ata në momentin e regjistrimit.

“Kjo deklaratë është në kundërshtim me ligjin për regjistrim. Të drejtë regjistrimi kanë të gjithë qytetarët të cilët për momentin nuk gjenden në Maqedoni. Në bazë të ligjit, regjistrimin e tyre do të mund ta bëjë një nga anëtarët e familjes, i cili përmes dokumenteve personale do të dëshmojë se ai është qytetar i Republikës së Maqedonisë. Këtu nuk ka asnjë dilemë. Të gjithë qytetarët që brenda një viti kanë hyrë në Maqedoni, do të mund të regjistrohen”, ka thënë anëtari shqiptar i këtij Komisioni, Milaim Ademi.

Procesi i regjistrimit në Maqedoni do të mbahet prej 1 deri më 15 tetor. Që nga dita e parë kishte mosmarrëveshje midis anëtarëve maqedonas dhe atyre të bashkësive të tjera etnike. Dallimet u tejkaluan vetëm para disa ditëve, kur u arrit marrëveshje që komisionet e regjistrimit, respektivisht regjistruesit të zgjidhen sipas përbërjes së popullatës në atë komunë, e jo sipas insistimit të palës maqedonase, e cila kërkonte që një nga regjistruesit të jetë i bashkësisë etnike maqedonase.  Regjistrimi i popullatës është obligim ligjor dhe çdo qytetar ka obligim të regjistrohet. Për ata të cilët nuk dëshirojnë të jenë pjesë e këtij procesi, do të ketë gjoba në vlerë prej 500 deri më 1500 euro. (LajmeShqip.com)