Tiranë – Lëvizja Socialiste për Integrim i ka bërë sot thirrje opozitës të votojë ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar në Parlament, pasi në të kundërt mund të bllokojnë procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Në një konferencë për shtyp, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, theksoi se bllokimi i procesit do të ishte i pafalshëm dhe pasojat do të bien mbi shqiptarët, të cilët më shumë se çdo komb tjetër e duan integrimin.
“Pakti kombëtar i propozar nga LSI-ja ka qenë dhe mbetet një zgjidhje parimore dhe gjithëpërfshirëse. Ky pakt vazhdon të jetë zgjidhje politike që interesat e shqiptarëve i vë të parat”, tha Vasili.
Sipas tij “ky pakt, është mundësia e vetme që dialogu të udhëheqë procesin politik në Shqipëri”.
Duke i’u referuar deklaratave të kreut të PS-së, Edi Rama, Vasili theksoi se pakti kombëtar nuk duhet të përdoret si kushte të njëanshme, apo për interesat e ngushta të individëve të ndryshëm.
“Nuk ka kohë për tu humbur, ndaj i bëjmë thirrje opozitës të mbështesë paktin kombëtar dhe të japë mbështetjen e saj në parlament, duke miratuar ligjet që janë lidhur ngushtë me përmbushjen e 12 kritereve të Bashkimit Europian”, tha më tej Vasili.
Sunday, 25 September 2011 18:36