Tripoli – Forcat e autoriteteve të reja libiane gjatë natës së kaluar arritën përparim të dukshëm në marrjen e qytetit Sirt, njëri nga dy bastionet e fundit të trupave lojale të liderit të mëparshëm libian, Moamer Gadafi.
Sipas një gjenerali libian, forcat e Këshillit nacional kalimtar kanë hyrë në Sirt nga lindja dhe perëndimi dhe i janë afruar rreth 500 metra qendrës së qytetit. Ai theksoi se pritet që Sirt, i cili është vendlindja e Gadafit, së shpejti “të bjerë” në duart e tyre.
Burime mjekësore lokale kumtuan se në luftimet në Sirt jetën e kanë humbur sëm paku dy pjesëtarë të forcave të KNK-së, ndërsa rreth 30 janë plagosur. Nuk ka informata për viktima në radhët e forcave lojale të Gadafit.
NATO kumtoi se aeroplanë të saj gjatë 24 orëve të fundit kanë sulmuar disa objekte në Sirt, duke përfshirë edhe një depo me municion dhe një mjet kundërajror.
Nëse pushtohet qyteti Sirt, nën kontrollin e forcave lojale të Gadafit do të mbetet vetëm qyteti Bani Valid.
Sunday, 25 September 2011 16:05