Tiranë- Ndryshe nga zgjedhjet e 28 qershorit të vitit 2009, votat e 8 majit ku shqiptarët votuan për të zgjedhur drejtuesit vendorë, do t’i nënshtrohen sëshpejti asgjësimit të tyre.
Sipas njoftimit zyrtar, KQZ do shqyrtojë të hënën projektvendimin “Për hapjen e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore, të përdorura për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 08 Maj 2011” nismë e cila synon asgjësimin e fletëve të votimit.
Opozita e përfaqësuar në komision me 3 vota, pritet t’a kundërshtojë vendimin dhe ai pritet të miratohet vetëm më katër votat e mazhorancës.
Procesi i djegjes së votave do të kushtojë 1 milion e 800 mijë lekë dhe procesi do të zgjasë 60 ditë. Fondi do të destinohet për lëndën djegëse dhe pagat e punonjësve që do të zbrazin kutitë. Por ndryshe nga fletët e votimit të 28 qershorit 2009, që mbajtën peng politikën shqiptare përreth dy vjet, kësaj here fletët e votimit do të digjen shumë shpejt.
Partia Socialiste e kundërshton këtë vendim edhe shkak se ajo ka depozituar pak muaj më parë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë një kallëzim penal për kryetarin e KQZ-së, Arben Ristani dhe tre anetarët Klement Zguri, Vera Shtjefni dhe Hysen Osmani, dhe pikërisht fletët e votimit të 8 majit konsiderohen si provë e pakundërshtueshme fajsisë së tyre për marrjen e vendimeve në kundërshtim me ligjin sidomos përsa i përket procesit zgjedhor në 8 maj.
Sunday, 25 September 2011 11:44