New York – Kryeministri Berisha mori pjesë në mbrëmjen gala, të organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro – Amerikan (NAAC), në New York.
Në mbrëmje merrnin pjesë Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto dhe zv/kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, zv/Asistent Sekretari i Shtetit, Philip Reeker, kongresmeni Eliot Engel, ambasadori Frank Wisner si dhe shumë personalitete të tjera shqiptare dhe amerikane.
Në mbrëmjen gala i ftuar nderi ishte edhe ish-Kryeministri britanik Tony Blair, të cilit NAAC i dorëzoi një çmim të posaçëm për kontributin e tij në çlirimin e Kosovës. Çmime iu dhanë një numri personalitetesh të shquara që kanë kontribuar për kombin shqiptar si ish- ambasadori Richard Holbrooke.
Duke marrë fjalën, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për të gjithë miqtë e kombit shqiptar, për mbështetjen dhe ndihmën e tyre të çmuar.
“Ne jemi një komb i bekuar, sepse në çdo moment vendimtar të ekzistencës sonë, të lirisë sonë, kemi pasur mbështetjen, ndihmën e këtij vendi e kombi të madh dhe ia kemi dalë mbanë falë saj. Ne kemi një histori shumë të gjatë, që prej kujtesës më të hershme të njerëzimit. Por kemi humbur historinë e lirisë. Udhëtimi ynë i gjatë ishte një udhëtim mbijetese dhe padyshim, paraardhësit tanë meritojnë nderim të madh. Ne erdhëm në kohët moderne si një vend i përcaktuar, u përballëm me padrejtësitë më të mëdha, por sot jemi një vend i lirë. Jemi të lirë, sepse përpjekjet tona kanë vlerë falë Presidentit Bill Clinton. Unë thashë se ai është heroi ynë kombëtar. Po, presidenti Clinton është dhe do të mbetet në kujtesën e kombit tonë një nga heronjtë më të mëdhenj. Ai drejtoi një nga luftërat më të vështira për t’u vendosur, e drejtoi atë për popullin e Kosovës, për shqiptarët e Kosovës”, tha Berisha.
“Sot nderojmë Tony Blair, kryeministri më i madh prej Luftës së Dytë Btërore. Ai pothuajse drejtoi Europën, në mbështetje të Presidentit Bill Clinton, në betejën për lirinë e Kosovës. Ai do të mbetet në kujtesën e kombit tonë, një hero i vërtetë kombëtar”, shtoi Kryeministri.
Nderojmë sot edhe një mik të madh, vijoi Berisha, “një prej diplomatëve më të jashtëzakonshëm të këtij vendi të madh, Richard Holbrooke. Kam pasur privilegjin për ta takuar disa herë. Unë ruaj kujtimin e një burri brilant e të jashtëzakonshëm. Një burrë, që duke i shërbyer qeverisë dhe kombit të tij, solli një kontribut historik për paqen në Ballkan. Nga Sarajeva në Junik dhe Klina, Richard Holbrooke u shndërrua në një avokat të fortë dhe të shkëlqyer të këtyre kombeve të shtypura”.
“Proamerikanizmi ynë i ka rrënjët thellë në liritë tona. Në jemi shumë krenarë për të. Pavarësisht faktit se asnjë rajon nuk ka derdhur më shumë gjak për liritë, sesa populli i Kosovës, sakrificat e vitit 1999 ishin ndoshta sa një e katërta e atyre të vitit ’45, por këtë herë gjërat kanë ndryshuar. Procesi ishte i komplikuar, por qeveria amerikane, Presidenti Goerge W Bush nuk hezitoi kurrë dhe ishte vendosmëria e tij që Kosova u bë një vend i lirë”, theksoi Kryeministri Sali Berisha.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Tony Blair kujtoi përpjekjet edhe emocionet e forta të periudhës së luftës së Kosovës dhe përpjekjet për çlirimin e saj. Zoti Blair nënvizoi rëndësinë e lirisë për çdo komb dhe theksoi se bota nuk do të jetë më e mirë nëse lirinë nuk e gëzojnë të gjithë popujt. Ai shprehu kënaqësinë që Kosovën sot e njohin 84 shtete të botës dhe dëshirën që të gjithë shtetet ta njohin pavarësinë e saj.
Mbrëmjen gala e përshëndetën edhe një numër personalitetesh të ftuar. Gjatë mbrëmjes aktorja e Hollivudit, Eliza Dushku, prezantoi një pjesë të dokumentarit të realizuar gjatë vizitës në Shqipëri, i cili ka për qëllim promovimin e imazhit të Shqipërisë në botë.
Saturday, 24 September 2011 17:12