Tiranë – Ndërtuesit mbështesin Memorandumin e nënshkruar mes Bashkisë së Tiranës dhe dy ministrive për regjistrimin
e pallateve të reja.
Avenir Kika, nënkryetar i Shoqatës së Ndërtuesve, thotë se me anë të aktit të djeshëm më në fund institucionet shfaqën vullnetin për të zgjidhur një problem që bartet prej vitesh dhe që prek interesat 400 firmave të ndërtimit dhe të 30 mijë familjeve.
Sipas zotit Kika, regjistrimi i pallateve të reja do të fusë në treg një vlerë pasurie prej 2 miliardë eurosh.
Ndërtuesit parashikojnë që regjistrimi të nisë në javët e para të nëntorit dhe të zgjasë rreth tre muaj.
Regjistrimi i pallateve do të bëhet mbi parimin e ngarkimit të përgjegjësisë tek ndërtuesit apo edhe tek pronarët e tokës në rastet kur mes dy palëve ka mosmarrëveshje. Kështu, pjesa e ndërtuesve dhe e pronarit të tokës do të bllokohet derisa ata të merren vesh, ndërsa apartamentet që janë shitur tek të tretë do të regjistrohen rregullisht.
Në rastet kur firmat ndërtuese kanë falimentuar ose e kanë mbyllur aktivitetin, detyrimet e subjekteve ndërtuese do t’i marrë Bashkia e Tiranës. (LajmeShqip.com)
Saturday, 24 September 2011 14:32