Lajme Shqip Saturday, 24 September 2011 14:15

New York – “Shqipëria dhe Kosova janë rrëfimet më të suksesshme të historisë së shqiptarëve, kombit me idele të njëjta, me idealet e SHBA-së dhe të Bashkimit Evropian”, tha presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në manifestimin e 15-vjetorit të aktivitetit të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, ku edhe u shpall anëtare nderi e tij.

Presidentja kosovare përmendi kontributin e shoqatave patriotike, të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, që vepruan në SHBA dhe sidomos veprën e presidentit Ibrahim Rugova, liderin e pluralizmit në Kosovë, që projektoi idenë e miqësisë mes Kosovës dhe SHBA-së.

“Ideali i lirisë, i cili qëndron i brumosur në themelet e botëkuptimit të qytetërimit amerikan, është bërë vlerë e përbotshme dhe shërben si frymëzim për të gjithë popujt e mbarë rruzullit, duke respektuar vlerat themelore të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor”, theksoi Jahjaga.

Duke iu drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe personaliteteve tjera pjesëmarrëse, Jahjaga tha se “ne jemi udhëheqës të dy vendeve tona, të një kombi, që kemi mandatin e popullit, që kemi një ideal për një vizion dhe që këtu nuk jemi të mbledhur vetëm nga fakti se flasim një gjuhë dhe jemi bashkëkombës, por nga vlerat që i përçojmë për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për popullin tonë, duke qenë të përkushtuar për demokracinë dhe për civilizimin evropian”.

“Simbolika se jemi mbledhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shpreh miqësinë e përjetshme që ka populli ynë me popullin amerikan, që bëri që ne sot të jemi të lirë, të pavarur dhe të barabartë me kombet e vendet e tjera që e bëjnë historinë”, theksoi ajo.

“Të gjithë e dini që rrethanat e sollën që Shqipëria nuk u krijua në gjithë territorin kombëtar, por falë përkushtimit të atdhetarëve në të gjitha trojet shqiptare u mbajt gjallë ideja kombëtare”, theksoi Jahjaga, duke shtuar se bërja dhe stabilizimi i Shqipërisë, si rrëfimi më i suksesshëm i historisë sonë, ndër të tjera, i referohet në masë të madhe kontributit të jashtëzakonshëm të komunitetit shqiptaro-amerikan.

“Gati njëqind vjet më vonë, bërja dhe stabilizimi i shtetit të Kosovës, si rrëfimi tjetër më i suksesshëm i historisë sonë kombëtare, i referohet pikërisht kontributit të jashtëzakonshëm, të pashembullt dhe të papërsëritshëm të komunitetit shqiptaro-amerikan”, shtoi ajo.

Ky kontribut, tha presidentja Jahjaga, nënkupton të gjitha format e mbështetjes për Kosovën, prej protestave, ndihmës materiale e lobimit, të organizimit politik e deri te sakrifica më sublime, duke mos e kursyer as jetën.

“Këtu më duhet të përmend me krenari luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kontributin e batalionit ‘Atlantiku'”, u shpreh ajo.

Duke folur për rajonin presidentja e Kosovës tha se “bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira e të sinqerta me të gjithë fqinjët, pa pretendime territoriale dhe pa u rikthyer në histori, na mundëson që të ecim përpara duke ndihmuar njëri-tjetrin që ta bëjmë punën dhe jetën tonë më të lehtë, që të realizojmë përparimin ekonomik, kulturor, shkencor dhe të gjithanshëm, që të jetojmë në paqe dhe në prosperitet me kombet e tjera”.

Në këtë manifestim ishin të pranishëm kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, zv/kryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi, ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Rosemary DiCarlo, zv/ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Philip Reeker, kongresisti Eliot Engël e figura të tjera të rëndësishme nga fusha e politikës, artit, biznesit e fusha të tjera.

Gjatë punimeve të këtij manifestimi, me mirënjohje të veçantë, për kontributin e madh të dhënë për Kosovën, u nderua ish-kryeministri britanik, Toni Bler. Gjithashtu, për kontributin për Kosovën, u nderua, pas vdekjes, edhe diplomati i madh amerikan, Riçard Hollbruk.