Shkup – Ish-sekretari shtetëror pranë Ministrisë për Punë të Jashtme, Abdulkadër Mehmeti, ka demantuar akuzat në mediat maqedonase se kinse ka ndarë viza për vehabistët. “Me publikimin e artikujve të tillë, para së gjithash, të pavërtetë dhe gjysëm të vërtetë, të pakonfirmuar, krijohet një pamje e shtrembëruar dhe bëhet tentim për devalvimin e sukseseve në politikën e jashtme të Republikës së Maqedonisë, ku, mes të tjerash, kontributi i Sekretarit shtetëror në MPJ është shumë pozitiv, veçanërisht i theksuar në demarkacionin e kufirit me Republikën e Kosovës. Me tekst të këtillë vërtetohet joobjektiviteti dhe joprofesionalizmi i gazetarit, ku, përveç faktit se përmendet emri im dhe dëmtohet imazhi im, i njëjti nuk ka kontaktuar me mua për të kërkuar deklaratë ose sqarim për informatat të cilat i ka shkruar”, thuhet në reagimin e Mehmetit.
“Kush dhe nëse dikush prej tyre që i emëron gazetari “vehabistë”, dhe nëse dikush prej tyre ka pasur nënshtetësi të dyfishtë, kjo është kompetencë e institucioneve të tjera, të cilat kanë mundësi që t’i verifikojnë këto fakte”, reagon më tej Memedi, duke shtuar se e vetmja e vërtetë në të gjithë faqen është fotografia e tij, ku, në prapavijë qëndron flamuri shtetëror i Republikës së Maqedonisë, të cilat ligje ai thotë se i respekton, dhe “flamuri i Bashkimit Evropian drejt të cilit hapërojmë të integrohemi”, ka thënë ai.
Memedi potencon se dokumentet e lëshuara të udhëtimit, të rektorit dhe prorektorit të USHT-së, janë në përputhshmëri me rregullat e shkruara, veçanërisht duke pasur parasysh faktin se dokumentet e njëjta të udhëtimit, në disa raste janë vazhduar dhe miratuar nga ana e ministrit të deritanishëm për punë të Jashtme, Antonio Milloshoski.
“Sa i përket dokumentit të dytë të udhëtimit për ‘ekspertin’, Ejup Alimi, ndryshe Sekretar Shtetëror në Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, në mënyrë klasike manipulohet opinioni, pasi nuk bëhet fjalë për dokumente diplomatike të udhëtimit, por për dokument zyrtar të udhëtimit, të lëshuar në përputhshmëri me gjendjen përkatëse, që të njëjtat u ndahen gati të gjithë vozitësve në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë.
Në lidhje me ndërmjetësimin për dhënien e vizave për hyrje në Arabinë Saudite, MPJ e ka për obligim që t’iu dalë në ndihmë të gjithë qytetarëve tanë, aq sa është e mundur gjatë qëndrimit jashtë, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për shkuarje në haxh ose diçka tjetër, ka thënë Mehmeti. (LajmeShqip.com)
Saturday, 24 September 2011 13:53