Lajme Shqip Saturday, 24 September 2011 10:45

Mitrovicë – Populli serb është i vendosur që ta mbrojë Kosovën, ka thënë dje në Leposaviq ministri i Serbisë për Kosovën, Goran Bogdanoviq.

Ai ka demantuar disa media serbe, të cilat ditë më parë kanë shkruar se ka përçarje të mëdha në mes të popullatës serbe dhe partive të tyre në Kosovë.

Në anën tjetër, Goran Bogdanoviq, duke e parë veten të kërcënuar në veri të Kosovës, është ndalur për të mbajtuar një mbledhje me kryetarin e Qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq dhe me katër të ashtuquajturit kryetarë të komunave serbe në veri.

Burimet e portalit kanë theksuar se Bogdanoviq, në Leposaviq ka hyrë në mënyrë ilegale dhe ai, si dhe Borko Stafanoviq, tanimë janë të padëshëruar në Zveçan, ku sundojnë radikalët e Tomisllav Nikoliqit, në Mitrovicë, veri, dhe në Zubin Potok ku sundon Vojisllav Koshtunica.

Bogdanoviqi, sipas burimit, është munduar që në Leposaviq t’i bindë liderët ekstremë të veriut, disa nga të cilët janë të dyshuar për urdhërdhënie për vrasjen e policit të Kosovës, Enver Zymberi, në afërsi të Zubin Potokut, më 26 korrik, që të bashkëpunojnë me Qeverinë në Beograd, e jo me partitë e tyre politike.

Presidenti serb, Boris Tadiq, tanimë ka kontroll të plotë në Leposaviq, ndërsa Nikoliq e Koshtunica po e kontrollojnë pjesën tjetër.

Bëhet e ditur se takimi ka qenë shumë i tensionuar, dhe ai është siguruar nga forca të mëdha të MUP-it dhe të mbrojtjes teritoriale serbe. Stefanoviq dhe Bogdanoviq janë kërcënuar nga kapot e krimit në veri të Kosovës, me në krye Zvonko Veselinoviqin, i cili e ka përkrahjen direkte të Milan Ivanoviqit, Marko Jakshiqit, të dy këta udhëheqës të Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës.

Veselinoviq e ka edhe mbështetjen e Policisë së Serbisë, që vepron në Kosovë, të Mbrojtjes territoriale si dhe të tre të ashtuquajturve kryetarë të komunave, atij të Mitrovicës, Kërstimir Pantiq, atij të Zveçanit, Dragisha Milloviq dhe atij të Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq. (LajmeShqip.com)