Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u prit dje pasdite nga Presidenti i Republikës Federale së Austrisë, Hajnc Fisher, në Pallatin Presidencial “Hofburg” në Vjenë.
Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme të Austrisë, sidomos në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si përparësi themelore e politikës së jashtme shqiptare, duke vënë në pah besimin se me përpjekje serioze e me ndihmën e partnerëve evropianë si Austria, vendi ynë do të mundë të marrë shumë shpejt statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.
Presidenti Topi vuri në dukje në takim rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe të shkëmbimeve tregtare me Austrinë, me qëllim intensifikimin e investimeve të biznesmenëve austriakë në sektorë të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, si në infrastrukturë, energjetikë, turizëm, etj.
Nga ana e tij, Presidenti Fisher, pasi shprehu kënaqësinë e veçantë të takimit me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, siguroi se Austria do të vazhdojë të japë të gjithë mbështetjen e fuqishme në drejtim të zhvillimit të mëtejshëm të Shqipërisë në të gjitha drejtimet si dhe në kurorëzimin e suksesshëm të aspiratave integruese evropiane të popullit shqiptar.
Gjatë vizitës zyrtare, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë zhvilluan edhe një takim të përzemërt me përfaqësues të diasporës shqiptare në Austri.
Me këtë rast, Presidenti Topi dekoroi me “Medaljen e Mirënjohjes”, Shoqatën “Aleanca për Fëmijët” – Steyr, me motivacionin: “Për veprimtarinë humanitare të kryer në dhënien e ndihmës mjekësore për fëmijët shqiptarë, me probleme të rënda shëndetësore dhe në realizimin e projekteve për përmirësimin e infrastrukturës së shërbimit shëndetësor në Shqipëri”.
Saturday, 24 September 2011 08:36