Lajme Shqip Friday, 23 September 2011 17:59

Tiranë – Gjykata e Lartë rrëzoi sot kërkesën e prokurorisë për largimin e tre ekspertëve të zgjedhur nga Gjykata për të realizuar ekspertizën e video-përgjimit ndaj ish-zv/kryeministrit Ilir Meta.

Në seancën e zhvilluar ditën e sotme, përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme kërkoi largimin e tre ekspertëve, me pretendimin se ata nuk disponojnë njohuritë e nevojshme për ekspertizën e videos. Por, pretendimi i prokurorisë, nuk e ka bindur Gjykatën, e cila vendosi rrëzimin e kësaj kërkese.

Një seancë me parë, Gjykata e Lartë caktoi ekspertët Ardian Pollo, Artur Rahmani dhe Ermal Beqiri për të realizuar ekspertizën e video-s ndaj Metës. Tre ekspertët, e  ngarkuar nga Gjykata e Lartë, do të  japin përgjigje për një sërë pyetjesh që lidhen me video- përgjimin,  ndër to, mbi autenticitetin e saj.

Gjykata e Lartë vendosi që t’u japë kohën e nevojshme eksperteve për të realizuar ekspertizën e videos ndaj Metës.

Ish- zv/kryeministri Ilir Meta është vënë nën akuzën e korrupsionit pas publikimit ne media të një video- përgjimi, ku ai shfaqej me ish- ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, në një bisede për disa tendera të ministrisë së ekonomisë.