Lajme Shqip Friday, 23 September 2011 17:47

New York – E kaluara e raporteve Kosovë-Serbi nuk guxon ta mbajë peng të ardhmen, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në Samitin e Liderëve të Ballkanit, në New York.

“Ajo çka dëshiroj të them është se ne të gjithë e dimë të kaluarën e raporteve Kosovë – Serbi, të gjithë e dimë të kaluarën e hidhur, të errët dhe armiqësore, të cilën shumë e kanë përjetuar. Por, kjo duhet të mbetet e kaluar dhe nuk guxon ta mbajë peng të ardhmen”, theksoi ai, duke shtuar se “ne tashmë kemi hapur një kapitull të ri, atë të dialogut ndërfqinjqsor, nepërmjet të cilit po synojmë të shpejtojmë rrugën tonë që si dy shtete të pavarura të anëtarësohemi në BE dhe NATO”.

Thaçi tha se Republika e Kosovës është një partner serioz për paqe dhe stabilitet në rajon.
Kryeministri Thaçi po ashtu theksoi se “Republika e Kosovës, edhe pse një vend i vogël në zemër të Evropës, luajti rolin e saj në ndryshimet globale”, duke shtuar se “shpallja e Pavarësisë nga Parlamenti i Kosovës me 17 shkurt 2008 paraqet një datë historike dhe një fazë të re për popullin e Kosovës”.

“Tani në tri vite të shtetësisë së Kosovës dhe të institucioneve të saj shtetërore, Republika e Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran, është njohur nga 84 shtete anëtare të Kombeve te Bashkuara, prej tyre nga shtetet më të fuqishme në botë, duke përfshirë SHBA-në dhe shumicën e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, të NATO-s, Këshillit të Evropës, Organizatës së Konferencës Islamike etj, që reflekton mbështetjen e madhe që shteti i ri i Kosovës gëzon në arenën ndërkombëtare, si dhe të drejtën legjitime dhe vullnetin e popullit të Kosovës për të krijuar një ambient ku mbizotëron sundimi i ligjit”, theksoi kryeministri kosovar.

Ai tha edhe se “të gjitha shtetet fqinje e kanë njohur Kosovën, përveç Serbisë”.
Në fjalën e tij në Samitin e Liderëve të Ballkanit kryeministri kosovar tha se ne te gjithë jemi dëshimtarë se  bota është bërë një vend i vogël dhe se sfidat me të cilat ballafaqohemi janë pothuajse të natyrës së njëjtë.

Sipas tij, “vetëm një Ballkan, që jeton në harmoni dhe është pjesë e Bashkimit Evropian, është rruga dhe vizioni që duhet të ndjekim. Kjo rrugë nuk do të jetë e lehtë dhe kërkon shumë përpjekje dhe përkushtim nga ne”.