Kumanovë – Ka vazhduar dita e pestë e grevës së urisë në zyrat e Forumit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut në Kumanovë. Aty po protestojnë të afërm të të dënuarve të Brodecit, Manastirit, Shkupit e Kumanovës. Njëkohësisht në grevë urie janë dhe gjithë të burgosurit për këto raste në burgjet e Idrizovës, Shtipit dhe Prilepit, ku po mbahen të dënuar padrejtësisht dhjetëra shqiptarë.
Në ditën e pestë gjendja shëndetësore e grevistëve është përkeqësuar dukshëm, sidomos e kryetarit të ICHR-IGFM-FNDNJ-së në Kumanovë, Idriz Sinani, i cili dy ditë radhazi ka qenë në spital për shkak të problemeve të theksuara me veshkat. Disa herë për shëndetin e grevistëve vullnetarisht është përkujdesur mjeku Fatmir Hasani nga fshati Sllupçan.
“Sipas njoftimeve nga burgjet, gjendja mjaft e rënduar shëndetësore rezulton të jetë edhe e të burgosurve të Brodecit në burgjet e Shtipit, Prilepit dhe Idrizovës, ku po ju mungon edhe trajtimi i duhur mjekësor. Përmes një telegrami, grevën e ka bordi ndërkombëtar i IGFM-së dhe posaçërisht kryetari i forumit në Gjermani, Karl Hafen, i cili u ka bërë thirrje autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare që menjëherë të ndërmarrin masa për tejkalimin e kësaj gjendjeje dhe të çohet drejtësia në vend”, thuhet në reagimin e grevistëve.
Ditë më parë grevistët janë vizituar nga kreu i BDI-së, Sulejman Rexhepi, zëvendësavokati i Popullit, Naser Veseli, kryetari i BDK-së Hisni Shaqiri dhe tjerë. Grevistët konsiderojnë se këto gjykime janë thellësisht politike, për çka flet edhe fakti se shumica e të dënuarve janë ish-pjesëtarë të UÇK-së.
“ICHR-IGFM-FNDNJ u bën thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që sa më shpejtë të ndërmarrin hapa konkret në drejtim lirimit të këtyre të burgosurve të dënuar pa kurrfarë dëshmi relevante, ose më së paku të kthehen këto lëndë në rigjykim”, qëndron në komunikatë. Ata thonë se greva e urisë do të vazhdojë deri në realizmin e qëllimeve të vëna, e ajo është dalja e drejtësisë në shesh. (LajmeShqip.com)
Friday, 23 September 2011 15:51