Prishtinë – Ndonëse që prej një jave Serbia është duke shkelur marrëveshjen për njohjen e vulave doganore dhe duke bllokuar mallrat nga Kosova, autoritetet në Kosovë ende nuk kanë marrë ndonjë vendim për rikthimin e reciprocitetit.
Serbia nuk ka lejuar asnjë kamion me mallra nga Kosova të hyjë në tregun e saj, e importi i mallrave serbe në vendin tonë është normalizuar, sikurse para 20 korrikut, kur qeveria vendore kishte vendosur masa reciproke në marrëdhëniet tregtare me Serbinë. Sipas zëdhënësit të Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, “deri më tani kemi import mbi 500 maune prej dy pikave kufitare te Dheu i Bardhë dhe në Merdar, dhe, në anën tjetër, kemi parë refuzimin që iu është bërë maunave me produkte të Kosovës.”
“Arsyet e refuzimit kanë qenë të ndryshme, duke filluar prej kërkesave për dokumente të Administratës paralele tatimore në Ranillug, certifikatave të TVSH-së sipas ligjit të ri të Serbisë dhe deri te mospranimi i vulave, edhe pse është arritur marrëveshje për këtë çështje”, ka thënë ai.
Në strukturën e importeve vazhdon të dominojë materiali ndërtimor dhe zhavorri, por ditëve të fundit është shtuar edhe importi i mallrave ushqimore. Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila thotë se reciprociteti do të ndërmerret, pasi të verifikohet se janë shterë tërë mundësitë tjera.
Që nga data 16 shtator, vetëm pesë eksportues vendorë kanë tentuar të eksportojnë mallra në Serbi, dy prej të cilëve pasi janë lejuar të kalojnë, janë kthyer prapa, me arsyetimin se dokumentacionin nuk e kanë në rregull. Edhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit kanë kërkuar nga qeveria që të rikthejë reciprocitetin. Ndërkohë autoritetet vendore qysh në fillim të javës kanë njoftuar zyrtarët në Bruksel për mosrespektimin e marrëveshjes për njohjen e vulave doganore nga Serbia, dhe pritet që në koordinim me ta të merret vendimi përkatës.
Friday, 23 September 2011 16:05