Tiranë- Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH), në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit (MBUMK), çeli sot në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, edicionin e IX-të te Panairit Ndërkombëtar “Agrobiznes 2011”, i cili do të promovojë produktet bujqësore dhe blegtorale deri më 25 shtator.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, pjesëmarrëse në ceremoninë e hapjes, e cilësoi këtë panair si një “minikopësht” shqiptar. Ajo u shpreh, se rritja e cilësisë së prodhimeve shqiptare do të bëjë të mundur futjen dhe zgjerimin e tyre në tregjet europiane.
Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, vlerësoi se “ky aktivitet promovon risitë dhe vlerat e bujqësisë dhe agroindustrisë në vendin tonë, duke synuar konkurrueshmërinë e tregut”.
Presidenti i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH), Enver Ferizaj, duke vlerësuar Panairin “Agrobiznes 2011”, si eventin më të rëndësishëm të bujqësisë dhe agroindustrisë shqiptare, tha se “panairi po promovon zhvillimet dhe perspektivat e bashkëpunimit, që merr një prioritet të veçantë në kohën kur Shqiperia ka shtuar përpjekjet në zgjerimin e tregjeve tregtare rajonal e me gjerë, për të mirën e ekonomisë shqiptare”.
Në këtë eveniment, marrin pjesë mbi 90 kompani vendase, kosovare dhe të huaja (italiane, greke, maqedonase,etj), si dhe rreth 150 fermerë, që do të prezantojnë prodhimet bujqësore nga fermat e tyre tradicionale.
Friday, 23 September 2011 14:43 