Lajme Shqip Friday, 23 September 2011 14:26

Tiranë- Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, u kërkoi partive politike të lënë mënjanë luftën politike dhe të angazhohen seriozisht në përmbushjen e atyre kritereve, të cilat do të përshpejtojnë procesin e integrimit.

“Shqipëria nuk ka nevojë për luftë politike apo demagogji. Qytetarët shqiptarë dhe interesat europianë të vendit kanë nevojë për klimë të bashkëpunimit politikë, për kontribute pozitive dhe për konsensus të nevojshëm, që lidhet me përmbushjen e këtyre reformave të rëndësishme”, theksoi Rama.

Sipas tij, reforma zgjedhore dhe e gjithë paketa që vjen si kusht për integrimin europian të vendit është ajo që duhet të dominojë dhe të na bashkojë të gjithëve në qëndrimin që mbajmë.

“Lidershipi i PS-së duhet ta kuptojë që edhe interesat e qytetarëve, votuesve dhe simpatizantëve të PS-së, janë një me interesat europiane të vendit. Për hir të këtyre interesave lidershipi socialist ta kuptojë domosdoshëmrinë dhe rëndësinë e veçantë që merr bashkëpunimi dhe kontributi pozitiv jo vetëm i deputetëve socialistë, por i tërë opozitës dhe i të gjithë qytetarëve që votojnë dhe mbështesin PS”, theksoi Rama.

Ai u shpreh se “LSI ka qenë e gatshme të kontribuojë pozitivisht jo vetëm për të shpejtuar ritmet e integrimit europian të vendit, por edhe duke ofruar projekte dhe drafte konstruktive në përputhje me interesat europiane të vendit për reformën zgjedhore dhe për të gjitha kushtet që kërkon procesi i integrimit europian.