New York- Kryeministri Sali Berisha theksoi gjatë Samitit të Liderëve të Ballkanit, me temë “Një vizion për një të ardhme të përbashkët”, të zhviluar në New York, se ” ne po bëjmë dhe do të bëjmë më të mirën, për të krijuar klimën më miqësore dhe mjedisin më të mirë për bizneset dhe tregtinë”.
Kryeministri Berisha në fjalën e tij nënvizoi se, “takimi në këtë vend të madh të lirisë, më duket si lider i një Ballkani mirëkuptimi, bashkëpunimi, miqësie, një Ballkan i të ardhmes, që gadishulli e meriton”.
“Një takim i tillë i madh shpresoj që së shpejti do të zërë vend tek të gjithë ju, në secilin prej vendeve tanë, si lajmërtar i të ardhmes së madhe të rajonit. Por vetë fakti që ju keni theksuar tregjet, bizneset si bërthamën e organizatës suaj, është gjithashtu shumë frymëzues”, theksoi Berisha duke shtuar se nuk ka demokraci funksionale pa një ekonomi tregu funksionale.
Kreu i qeverisë tha se, “në këtë vend të madh flasin për demokracinë e bazuar në treg. Në këtë aspekt, ka një potencial të jashtëzakonshëm të organizatave tuaja, që mund të bëhen promotorë shumë të rëndësishëm për të tërhequr bizneset e këtij vendi, për rajonin e Ballkanit dhe vendet e tij”.
“Rajoni tani ka një dinamizëm të madh në shkëmbime, investime. Në një hark të shkurtër kohor, prej vitit 2005 deri në vitin 2010, investimet turke në Shqipëri janë rritur katër herë. Në takimet e shpeshta me Kryeministrin Erdogan ne kemi planifikuar të mbështesim biznesin dhe bashkëpunimin e biznesit.Investime nga vende të tjera ballkanike po vijnë”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha tha se, “për momentin, Shqipëria është vendi me barrën më të ulët fiskale në Europë. Taksë e sheshtë 10 përqind, hoqëm me dhjetra e dhjetra lloje taksash, po punojmë shumë për të hequr pengesat burrokratike.Ne ndryshuam krejtësisht klimën e biznesit”.
Duke u ndalur në krizën ekonomine, shefi i qeverisë shqiptare tha se “në krizën më të keqe europiane dhe një nga më të këqiat në botë, investimet e huaja direkte në vendin tim, për periudhën 2006-2010, u rritën rreth 316 përqind.
Eksportet shqiptare u rritën 300 përqind. Kam një mik të madh në këtë vend, i cili është presidenti i Coca-Cola-s, Muhtar Kent. Dy ditë më parë, ai foli në një forum dhe i tha audiencës se këto janë absolutisht vetëm hapat e para të këtij vendi. Jam dakort me të”.
Ai vuri në dukje se potencialet e Shqipërisë janë të jashtëzakonshme, është një vend i vogël, por kur e sheh në brendësi zbulon potenciale dhe mundësi të jashtëzakonshme.
“Shqipëria është një Norvegji e vogël në rajon, është një vend plot me ujëra, që do të ndërtojë më shumë se 450 hidrocentrale”, tha Berisha duke shtuar se Shqipëria mund të bëhet një eksportues shumëi rëndësishëm i energjisë së blertë në rajon dhe po bëhet një i tillë.
Vendi, vijoi ai, ka një potencial shumë të madh turistik për t’u zhvilluar. Në vitin 2004 vendi im priti gjithsej 350 mijë turistë dhe vizitorë, në vitin 2010, ky numër shkoi në 3.5 milionë. I kthehem edhe një herë fjalës së mikut tim, se këto janë vetëm hapat e para, sepse 90 përqind e bregdetit tonë po pret për invesitorë për t’u zhvilluar.
“Aseti më i madh i vendit im është rinia, që me energjinë, me vizionin dhe imagjinatën e saj, do ta bëjë vendin, shqiponjën e Europës”, përfundoi, kryeministri Berisha.
Ky samit i përvitshëm ku merrnin pjesë gjithashtu Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ai i Kosovës, Hashim Thaçi, i Maqedonisë, Nikola Gruevski,si dhe kryeministri i Malit të Zi Igor Luksic, synon të promovojë trashëgiminë e tolerancës ballkanike dhe mirëkuptimin midis liderëve politike, religjiozë, si dhe bizneseve, gazetarëve, artistëve etj.
Friday, 23 September 2011 14:12