Shkup – Analistë dhe ish-diplomatë, duke komentuar dokumentet e publikuara nga Wikileaks për Maqedoninë, e që nuk shkaktuan reagime si në vendet tjera, thonë se kjo ka të bëjë me faktin se Maqedonia nuk është aq e rëndësishme në skenën ndërkombëtare për t’i kushtuar ndonjë vëmendje të posaçme.
Edhe ekspertët pajtohen me faktin se Wikileaks më pak është marrë me Maqedoninë në krahasim me vendet tjera në rajon. Që nga viti i kaluar uragani i quajtur Wikileaks nisi të dridhë botën me publikimin e dokumenteve sekrete sidomos fuqitë e mëdha Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe shtete të tjera me ndikim. Por, kjo nuk shkaktoi efekt të njëjtë edhe në Maqedoni. Pavarësisht asaj se në opinionin u nxorën qindra dokumente për Maqedoninë që kishin të bëjnë me situatat politike në vend, me pozicionet rreth emrit, si dhe për jetën private të politikanëve, raportet mes liderëve partiakë, si dhe për jetën e tyre private në dioptrinë e diplomatëve amerikanë në Shkup, ato nuk patën ndikim të rëndësishëm as në pozicionimet politike e as që patën efekt në qëndrimin e qytetarëve.
Ata këtë e arsyetojnë me atë se në dokumentet e Wikileaks-it më shumë hapësirë kanë marrë shtetet e fuqishme si dhe personalitetet me ndikim në botë. Ata thonë se në Maqedoni nuk është publikuar ndonjë informacion i “rëndë” i cili do të shkaktonte dridhje në skenën politike.
“Në këtë bujë Maqedonia pati pak vend, përveç asaj që është ndryshimi i emrit dhe u hesht shpejt e shpejtë nga mediat maqedonase që kjo të mos ndikojë në opinion dhe në popull. Ndërsa me problemet siç është korrupsioni dhe të tjera siç duket Wikileaks nuk është marrë dhe Maqedonia është më pak e pranishme nga vendet e rajonit dhe me më pak skandale”, kanë thënë analistët.
Sipas tyre dokumentet sekrete që u publikuan nga Ëikileaks e që kishin të bëjnë me Maqedoninë nuk ishin shqetësuese. Ata thonë se dokumentet e publikuara kishin të bëjnë me disa politikanë apo individë dhe raportet e tyre mes veti.
“Nuk ishim dëshmitarë të ndonjë informate të madhe prandaj mund të them se e gjithë kjo kaloi disi në heshtje edhe për shkak të fushatës parazgjedhore ku opozita nuk kishte ndonjë arsye më të madhe për të sulmuar pushtetin”, potencojnë analistët.
Ata janë të mendimit se ajo që kaloi në heshtje lidhur me publikimin e dokumenteve të Wikileaksit për Maqedoninë është si rezultat i asaj se mediat janë nën kontroll të fuqishëm të shtetit.
“Shuarja e Televizionit A1 e cila kishte guxim për disa gjëra ka bërë të vete. Mediat tjera se kanë atë guxim. Skena politike maqedonase është e mbushur me populizëm që në njëfarë mënyre sjell edhe skepticizmin e qytetarëve ndaj diplomatëve të huaj. Kjo dukuri zvogëlon autoritetin dhe besueshmërinë tek qytetarët të cilëve siç duket më shumë ju intereson ekzistenca se sa diplomacia”, kanë thënë ata. (LajmeShqip.com)
Friday, 23 September 2011 14:08