Prishtinë – Deputetët e Kuvendit të Kosovës shprehin qëndrime të ndryshme përkitazi me vendimin e djeshëm të gjykatës për masën e arrestit shtëpiak për deputetin Fatmir Limaj.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, thekson se para organeve të drejtësisë të gjithë jemi të barabartë dhe jemi të obliguar t’i respektojmë vendimet e tyre. Sipas tij, këtë qëndrim e ka theksuar edhe vetë deputeti Limaj, andaj nuk ka shteg për interpretime të tjera.
“Të gjithë jemi përcaktuar për sundim të ligjit. Këtë e ka thënë disa herë edhe vetë z. Limaj. Organet e drejtësise duhet ta bëjnë punën e vet dhe çdo interpretim tjeter bie ndesh me këtë që po e themi, andaj duhet lënë organeve të drejtësisë ta thonë fjalën e vet”, tha ai.
Deputeti Nait Hasani, nga PDK, theksoi se si institucione jemi të obliguar t’i respektojmë vendimet e organeve të drejtësisë.
“Gjykata e ka marrë një vendim të tillë, e ne jemi të oobliguar t’i respketojmë institucionet. Unë besoj në pafajshmërinë e tij, dhe kjo është një çështje që duhet t’i përgjigjemi drejtësisë”, ka thënë Hasani.
Ndërsa, Ahmet Isufi, nga AAK, thotë se çështja Limaj është rasti më eklatant se si drejtësia në Kosovë bazohet në formula politike dhe jo në funksionimin e ligjit. Sipas tij, në rastin Limaj janë të përziera ndikimet politike të faktorëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë.
“Kur është përfolur për aktakuzën e Limjat, e kanë përzier aktakuzën për gjoja krime lufte me korrupsion dhe vetë fakti se duan që me dy elemente të përziera ta njollosin luftën e UÇK-së, tregon se kemi të bëjmë më shumë me imponime poltike sesa me veprime të drejtësisë ashtu siç duhet”, ka thënë Isufi.
Deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Fatmir Limaj, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, mbrëmë ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh, lidhur me rastin Kleçka. (LajmeShqip.com)
Friday, 23 September 2011 13:07