Lajme Shqip Friday, 23 September 2011 10:54

New York – Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim në New York me Presidentin e Mozambikut, Armando Guebuza, të cilit i kërkoi që ky vend të marrë në konsideratë shqyrtimin e dosjes për njohjen e pavarësisë së Kosovës, si një e drejtë legjitime e popullit të saj, e rikonfirmuar qartësisht edhe nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Gjatë takimit Berisha theksoi se “njohja e pavarësisë së Kosovës do të zhbëjë padrejtësitë e mëdha historike ndaj shqiptarëve”. Sipas tij, shqiptarët, si asnjë komb tjetër në Europë përjetuan copëtime të padrejta, pushtime të egra, genocid e spastrim etnik.

“Sot, Kosova është shndërruar në një faktor të rëndësishëm paqeje, stabiliteti e miqësie në rajon, i cili pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është më i qetë se kurrë, ndaj njohja e pavarësisë së shtetit më të ri të Europës i shërben konsolidimit të mëtejshëm të një Ballkani në paqe dhe të ardhmes europiane të vendeve të tij”, tha Berisha.

Gjatë bisedës u konfirmua vullneti i të dy vendeve për të zhvilluar marrëdhënie në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, si edhe për të kompletuar kuadrin ligjor mbi të cilën do të bazohet ky bashkëpunim.

Kryeministri Berisha dhe Presidenti Guebuza shprehën dëshirën për intensifikimin e shkëmbimeve politike në nivelet më të larta.