Tiranë – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste (PS), Gramoz Ruçi i paraqiti maxhorancës në Kuvend një paketë me 10 pika, për të cilat duhet të nisin negociatat mes palëve për gjetjen e një zgjidhje për krizën politike në vend, si një kërkesë e Brukselit.
Ruçi kërkoi nga maxhoranca, rikthimin e parlamentarizmit në këtë vend. “Opozita e ka bërë hapin e saj, ne ju kemi çuar një paketë. Sot do të ishte shumë mirë që të diskutohej dhe t’i jepej një mesazh Brukselit”, tha ai.
Sipas tij, një tjetër pikë janë zgjedhjet vendore, që ishin një shans i humbur dhe gjëja e parë, bashkëpunimi politik dhe negociatat, duhet të ishin problematikat e zgjedhjeve.
Ai nënvizoi nevojën e reformimit të organeve të drejtësisë dhe se Shqipërinë e ka lënë jashtë Brukselit fenomeni i pandëshkueshmërisë. “Shqipëria nuk vuan nga mungesa e ligjit, por nga zbatimi i tij. Jemi këtu në sallën e parlamentit për t’i zgjidhur dhe plotësuar ato, ja ku na keni, negocioni, na dëgjoni, të punojmë dhe të veprojmë”, u shpreh Ruçi
Patozi: Nuk bëjmë pazar me integrimin:
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi deklaroi në Kuvend se maxhoranca nuk bën pazar me çështjen e integrimit, ndërsa akuzoi opozitën se po bëhet pengesë për reformat.
Në fjalën e tij, në seancën e sotme parlamentare, Patozi theksoi se maxhoranca është e hapur për të shqyrtuar çështjet që janë në programet e punës në Kuvend. “Integrimi për ne, mbetet kryeçështja kombëtare.
Sot opozita humbi shansin për të treguar vullentin politik. Por kjo seancë u faktoi të gjithëve se ku qëndron problemi.
Kemi hasur në negociata të reja. Ne zotërinj të pozitës ua themi qartë e pastër: Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pazar me integrimin.
Nëse ju e konsideroni tender, nëse mendoni se bashkëpunimi juaj duhet të marrë në këmbim pushtetesh, gaboheni rëndë. Pavarësisht kësaj historie të pakëndshme, ne nuk kemi ndërmend të humbasim durimin dhe ju ftojmë për bashkëpunim”, u shpreh Patozi duke iu drejtuar deputetëve të majtë.
Topalli: Sot dita e fundit për përfituar statusin
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ftoi deputetët e opozitës të votojnë për axhendën europiane të Shqipërisë, duke dhënë votën e tyre pro ligjeve të integrimit. “Axhenda e integrimit, kërkon votën tuaj.
Ëndrra e shqiptarëve varet nga vota juaj. Që Shqipëria të ecë drejt një stacioni të ri integrimi, varet nga opozita.Statusi varet nga opozita.
Ky është fakt. Dhe askush nuk mund ta mohojë. Jemi më të mëdhenj se vogëlsia e politikës. Ne duam të punojmë bashkë.
Ne sot duhet të votojmë bashkë “, theksoi Kryetarja e Kuvendit, në seancën e sotme plenare.” Ndoshta sot është shansi i fundit. Ligjet e axhendës kërkojnë 84 vota. Që Shqipëria të ecë drejt një stacioni të ri integrimi, varet nga opozita. Ky është fakt. Dhe askush nuk mund ta mohojë”, tha Topalli.
Thursday, 22 September 2011 17:48