Shkup – Shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Poposki, mbrëmë në Nju-Jork, në margjinat e Asamblesë së 66-të të Përgjithshme të OKB-së, është takuar me kolegun e tij grek, Stavros Lambrinidis, ka njoftuar MPJ-ja.
Hollësi nga takimi nuk janë kumtuar.
Poposki, një ditë më parë kishte takim edhe me ndërmjetësuesin e OKB-së në bisedimet ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë për emrin, Metju Nimic, në të cilin edhe një herë e ka theksuar gatishmërinë e Republikës së Maqedonisë për pjesëmarrje aktive dhe konstruktive në procesin për zgjidhjen e çështjes.
Ministri Poposki në Nju-Jork ka realizuar edhe më shumë takime bilaterale, midis të cilëve edhe me shefin e diplomacisë së Hungarisë, Janosh Martonji, me ministrin e Drejtësisë të Zelandës së Re, Endrju Brixhman, si dhe me Lamberto Zanierin.
Në takim me kolegun hungarez Martonji, Poposki është falënderuar për mbështetjen e Budapestit për integrimin evropian dhe euroatlantik të Maqedonisë, ndërsa Martonji ka bindur se Hungaria edhe mëtej do të vazhdojë t’i ndihmojë Republikës së Maqedonisë deri në anëtarësimin e plotfuqishëm në BE dhe NATO.
Ministri i Drejtësisë i Zelandës së Re, Endrju Brixhman, i cili është edhe shef i delegacionit, e informoi ministrin Poposki për kandidaturën e dorëzuar të Zelandës së Re për anëtare të përkohshme të Këshillit të Sigurimit për vitet 2015-2016 dhe kërkoi mbështetje nga Maqedonia. Në këtë kontekst, dy bashkëbiseduesit janë angazhuar për zhvillim të marrëdhënieve të përgjithshme bilaterale midis dy vendeve.
Në takimin me sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, Zanier, ministri Poposki ka shprehur falënderimet për aktivitetet e OSBE-së në Maqedoni, me ç’rast e ka riafirmuar angazhimin për zvogëlim të personelit dhe aktivitetet e misionit dhe mbyllje të plotë të zyrës në terren në Tetovë, me çka do të reflektohet progresi i vendit në kuadër të integrimeve euroatlantike.
Shefi i diplomacisë së Maqedonisë ka realizuar takim edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Luksemburgut Zhan Aselborn, në të cilin është bërë fjalë për mbështetjen reciproke të të dy vendeve për kandidaturat të cilat i kanë në kuadër të organeve dhe trupave të KB-së. Poposki është takuar edhe me ministren e Punëve të Jashtme të Liberisë, Toga Gajeva Mekintosh. (LajmeShqip.com)
Thursday, 22 September 2011 14:47