New York – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj, kanë zhvilluar takime me përfaqësues të vendeve anëtare të Ligës Arabe dhe Organizatës për Kooperim Islamik.
Zyra për informim i Ministrisë së Punëve të Jashtme thotë se Princi i Bruneit i ka konfirmuar kryeministrit Thaçi dhe ministrit Hoxhaj, se shteti i tij është në proces të vendimmarrjes për njohjen e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur.
Kryeministri Thaçi ka theksuar se pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, Republika e Kosovës është e interesuar të zhvillojë marrëdhëniet ekonomike, arsimore dhe kulturore me Brunein.
Po ashtu, kryeministri Thaçi dhe ministri Hoxhaj, kanë zhvilluar takime me përfaqësues të vendeve anëtare të CARIKOM-it, ku kanë marrë premtime edhe nga këto shtete për njohjen e Republikës së Kosovës në një të ardhme të afërt.
Ndërkaq, ministri Enver Hoxhaj ka zhvilluar një takim tjetër me ministrin e Drejtësisë të Zelandës së Re, i cili kryeson delegacionin e këtij shteti në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ata kanë biseduar për intensifikimin e marrëdhënieve e gjithanshme bilaterale mes dy shteteve.
Po ashtu, Hoxhaj ka takuar disa përfaqësues të vendeve që shtrihen në ishujt e Pacifikut. Ai ka kërkuar nga udhëheqësit e tyre që sa më shpejtë të marrin vendimin për njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, vendim që do të ndikonte në stabilitetin e rajonit.
Kryeministri Thaçi dhe ministri Hoxhaj kanë zhvilluar një takim gjithashtu edhe me Emirin e Katarit, Sheikh Hamad bin Khalifa al-Thani, i cili ka premtuar se do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në procesin e njohjeve të reja ndërkombëtare. (LajmeShqip.com)
Thursday, 22 September 2011 13:34