Prishtinë – Situata e sigurisë në veri është nën kontroll, por e brishtë. Kështu tha ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, gjatë raportimit në Kuvendin e Kosovës për situatën në veri.
Ministri Rexhepi i informoi deputetët e Kuvendit lidhur me situatën në veri dhe masat që po ndërmarrin mekanizmat e sigurisë, vendorë dhe ndërkombëtarë, për të zhbllokuar rrugët. Ministri tha se me barrikadat e vendosura në rrugë serbët lokalë po ia vështirësojnë jetën gjithë banorëve të pjesës veriore dhe se shumë shpejt mund të paraqitet krizë e furnizimit me ushqim. Rexhepi paralajmëroi se në rast të vazhdimit të një situate të tillë, do të bëhet koordinimi me KFOR dhe EULEX për heqjen e barrikadave.
Ministri i Brendshëm iu tha deputetëve se situata e përgjithshme e sigurisë në veri është nën kontroll, por ende paraqitet e brishtë. Ai tha se vendosja e funksionimit të plotë me rolin udhëheqës të policisë në pikat doganore në veri është një hap i madh drejt shtrirjes se sovranitetit, por sfidat mbeten edhe më tutje.
Në seancën e sotme të Kuvendit edhe deputetët e opozitës shprehën shqetësime lidhur me situatën në veri. Deputetët të Lidhjes Demokratike dhe të Lëvizjes Vetëvendosje kritikuan mënyrën sesi lejohen mallrat serbe të kalojnë pikat doganore në veri të vendit. (LajmeShqip.com)
Thursday, 22 September 2011 13:08