Kryetari i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka firmosur një memorandum me ministrin e drejtësisë Eduard Halimi dhe ministrin e transporteve Sokol Olldashi që mundëson pajisjen e të gjithë pallateve të ndërtuara vitet e fundit me hipoteka.
Hipotekimi sa më i shpejtë i banesave në Tiranë ka qenë një nga premtimet kryesore të Lulzim Bashës gjatë fushatës së tij elektorale për zgjedhjet e 8 majit.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Basha, Olldashi dhe Halimi konkretizuan premtuan se qytetarët nuk do të hasin vështirësi në këtë proces pasi çdo hap do të lehtësohet falë bashkëpunimit trepalësh.
Kryebashkiaku Basha deklaroi me këtë rast se “unë realizoj sot një premtim elektoral. Hipotekimin e të gjitha banesave të pahipotekuara këto vitet e fundit. Deri dje banori që ka paguar e blerë banesën i është mohuar e drejta të jetë pronar, por nga firmosja e këtij memorandiumi do të nisë një erë e rë.
Jo vetëm që halli i tyre do marrë fund, por edhe erë e re në bashkëpunimin e pushtetit qëndror dhe atij lokal”. Basha theksoi se premtimi elektoral do të ishte nënshkruar dhe më parë, por vonesat në tejzjagtjen e procesit elektoral, shtynë dhe vonuan dhe këtë gëzim të qytetarëve.
Nga ana e tij ministri Olldashi theksoi se ky memorandum bashkëpunimi do të përshpejtojë më tej procesin e hipotekimit të banesave dhe t`i japë fund problemit që prek mijëra familje në Tiranë.
Ndërsa ministri i drejtësisë Halimi duke vlerësuar memorandumin theksoi se procesi i hipotekimit të banesave bëhet i pamundër nëse nuk do të ketë bashkëpunim mes pushtetit qeverisës dhe atij lokal.
Thursday, 22 September 2011 10:28