Lajme Shqip Thursday, 22 September 2011 08:09

New York – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë qëndrimit të saj në New York, me rastin e mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, i është drejtuar për herë të parë publikut amerikan në Forumin e Liderëve Botërorë në Columbia University.

Jahjaga kundërshtoi vendosmërisht ndarjen e Kosovës, rirregullimin e saj të brendshëm territorial dhe shkëmbimin e territoreve.

“Dymbëdhjetë vjet më parë, Kosova ishte në shënjestër të spastrimit etnik nga regjimi serb. NATO-ja ndërhyri për të mbrojtur civilët. Kjo ndërhyrje humanitare u bë precedent për zhvillimin e normës së përgjegjësisë për të mbrojtur, apo ndërhyrje në mbrojtje të viktimave të vrasjes masive dhe shkeljes së rëndë të të drejtave të njeriut. Është kjo linjë e të menduarit që çoi NATO-n për të ndërhyrë përsëri kohët e fundit në Libi dhe kjo është arsyeja pse përvoja e Kosovës bart rëndësi për botën dhe angazhimet e ardhshme në përpjekjet e shtet-ndërtimit”, tha presidentja e Kosovës.

Duke folur për pavarësinë e Kosovës, të pranuar nga 84 shtete, presidentja tha se pavarësia është e pakthyeshme dhe se ajo është një faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan.

Ajo sqaroi rregullimin kushtetues të vendit, që është i bazuar në Planin Ahtisaari, dhe shtoi se për të siguruar mbrojtjen ligjore të komunitetit serb, ata mund të vënë veto ndaj çdo ndryshimi të Kushtetutës dhe ligjeve që mund të ndikojnë në të drejtat e tyre.

Presidentja Jahjaga tha se sundimi i ligjit është në qendër të përpjekjeve të saj për të krijuar një shtet të qëndrueshëm dhe për të kontribuar në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit.

Ne, shtoi Presidentja Jahjaga, “dëshirojmë që Kosova dhe tërë rajoni të jetë i begatë, demokratik, anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s si garanci kryesor e paqes dhe stabilitetit në Ballkan, duke qenë kontribues aktiv në këtë proces”.