Mitrovicë (PLOTËSUAR, E enjte, 22 shtator, 12:08) –
Pa u penguar nga askush, gjatë natës së mbrëmshme, serbët e veriut kanë hapur rrugën alternative 2-kilometërshe, në Jarinje, drejt zonës neutrale të kufirit Kosovë-Serbi.
Portali LajmeShqip.com ka raportuar mbrëmë për këtë iniciativë, të cilën e kishin konfirmuar për portalin burime të qendrës së KFOR-it, në Prishtinë.
Rruga e nisur mbrëmë është përfunduar dhe është vënë në qarkullim sot, kanë bërë të ditur bashkëpunëtorët e portalit nga veriu. Ajo po funskionon pa u penguar nga askush, në distancë 500 metra larg pikës ku është KFOR-i.
****************************
Prishtinë (21 shtator, 23:08) – Burime të Portalit LajmeShqip.com brenda Qendrës së KFOR-it në Prishtinë, kanë bërë të ditur se kanë informacione se serbët në veri po punojnë në hapjen e një rruge alternative, që lidh Serbinë me Kosovën.
Saktësisht, ata po angazhohen që gjatë natës së sontme, me eskavatorë dhe mjete të tjera të rënda, të hapin rrugën me gjatësi dy kilometra, në 500 metra distancë larg pikës kufitare në Jarinjë, ku është i stacionuar KFOR-i.
Kjo rrugë alternative që do t’i lidhte serbët e veriut me zonën neutrale Kosovë-Serbi, ka për qëllim anashkalimin e rrugës kryesore në Jarinjë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 22 September 2011 12:08