Lajme Shqip Wednesday, 21 September 2011 18:42

Përfaqësues të Opozitës së Bashkuar kanë qenë në mesditë në Bulqizë në ambientet ku zhvillohet greva e urisë së minatorëve.

Duke folur me minatorët, nënkryetari i grupit të PS, Saimir Tahiri tha se Genc Ruli sot duhet të ishte para drejtësisë. Indiferenca e pushtetarëve përballë një Gërdeci të heshtur që po konsumohet në Bulqizë, është cilësuar kriminale nga deputeti socialist.

Tahiri u ka premtuar minatorëve se opozita do t’i shkojë deri në fund çështjes së minierës së Bulqizës.

Tahiri u shpreh gjatë komunikimit me minatorët se:

“Mos mendoni se ajo që po bëni sot dhe kjo grevë këtu është një marrëdhënie e juaja me kompaninë dhe vetëm kaq. Harrojeni! Ku është shteti, pyeteni veten. Ku është ministri, ka ardhur ndonjëherë Ministri Ekonomisë këtu? Si ka mundësi asnjë përfaqësues i shtetit nuk vjen t’ ju japi një përgjigje, ose të paktën t’ ju ndërmjetësoj që ju të zgjidhni problemet tuaja”.

Siaps tij situata në Bulqizë po shndërrohet në një Gërdec të Heshtur.

“E mbani mend se ç’ ndodhi në Gërdec? Një fshat i tërë u zhduk nga harta, vetëm pse korrupsioni e shtyu qeverinë që të fuste para në xhep, duke detyruar fëmijë, gra, burra, pleq të punonin si skllevër. Derisa plasi, shpërtheu dhe i mori jetën 26 qytetarëve të pafajshëm”- ka shtuar më tej Tahiri.

Më pas nënkryetari i grupit të deputetëve të PS, Saimir Tahiri, Kurt Kola dhe Petro Koçi kanë dëgjuar rrëfimet e minatorëve për pamundësinë e mbijetesës dhe denoncimin e tyre për drejtorinë arsimore që hakmerret ndaj fëmijëve të minatorëve.

Ja si deklaroi njëri prej minatorëve: “Fëmijët tanë nuk kanë lekë të shkojnë në shkollë. Të shkojë prindi në shtëpi pasi ka dalë nga greva dhe fëmija të të lutet për 100 lekë e mos kesh në xhep me ja dhënë, kjo besoj është një katastrofë. Vaj medet për libra, vaj medet për bukë, vaj medet për gjithçka në Bulqizë. Bulqiza duhet të ishte sot thesari më i çmuar, kurse sot aktualisht Bulqiza po vuan për copën e bukës. E them me përgjegjësi të plotë, se po të shkosh nëpër dyqane i ke listat të mbushura plot e përplot. Çfarë kishin bërë dje, shkuan në shkolla dhe i pyetën kush është fëmijë minatorësh, që nëse vini në shkollë, se s’kanë libra, ju thonë që do të gjobiteni me nga 500 mijë lekë, kur ne s’kemi miell në shtëpi”.