Prishtinë (PLOTËSUAR 18:58) – Derisa më herët gjatë ditës, sot, Portali LajmeShqip.com ka raportuar për vendimin e Qeverisë së Kosovës që të mos e lejojë asnjë kamion me mallra nga Serbia, në të cilin në dokumente nuk shkruan Republika e Kosovës, pasdite ka pasuar aksioni i Vetëvendosjes me rrëzimin e një kamioni me mallra serbe në Lupç.
Ndërkohë edhe vetë Lëvizja Vetëvendosje e ka marrë sot zyrtarisht përsipër aksionin e kryer në Lupç të Podujevës.
Në kumtesën e Vetëvendosjes thuhet se “sot, më 21 shtator, rreth orës 16:00, në afërsi të fshatit Lupç, në magjistralen Besianė-Prishtinė, Lëvizja VETËVENDOSJE! ndërmori një aksion kundėr mauneve me mallra të Serbisë”.
Me këtë rast, thuhet në kumtesë, aktivistë dhe deputetë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! shkarkuan mallin, i cili ishte prodhim i “Centro Proizvod” nga Beogradi dhe më pas e rrotulluan maunen, për ta bërë të palëvizshme.
Vetëvendosje ka përcjellë bashkëngjitur edhe fotografinë nga ky aksion dhe dokumentet shoqëruese të mallit. (LajmeShqip.com)
****************************
Podujevë – Një kamion i firmës “Passable” është rrotulluar sot në fshatin Lupç të Podujevës, nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, kanë bërë të ditur burime të portalit.
Sipas informatave të para, ende të pakonfirmuara zyrtarisht nga policia, disa persona që thuhet të kenë qenë aktivistë Vetëvendosjes, e kanë ndalur kamionin që vinte nga Serbia, dhe pasi e kanë legjitimuar ngasësin, e kanë rrotulluar kamionin.
Anëtarët e VV-së, që kanë kryer këtë veprim, raportohet të kenë qenë të veshur me jelekë fosfori të uniformës së policisë dhe me një sinjal-stop ndalues në dorë, me të cilin e kanë ndalur kamionin dhe më pas e kanë rrotulluar.
Aksioni bëhet e ditur të jetë kryer me pretekstin se kamioni ka bartur mallra serbe nga Serbia në Kosovë, gjë që për këtë lëvizje është e papranueshme.
Policia e Kosovës, deri më tani, zyrtarisht ka thënë se është e informuar për ngjarjen, por ende nuk mund të konfirmojë asgjë, pos informatës së parë se aktivistë të Vetëvendosjes e kanë rrotulluar një kamion në Lupç.
Ngjarja nuk është konfirmuar ende zyrtarisht as nga Lëvizja Vetëvendosje as nga Policia e Kosovës.
Portali LajmeShqip.com sjellë edhe fotografinë ekskluzive, nga vendi i ngjarjes. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 21 September 2011 17:59