Lajme Shqip Wednesday, 21 September 2011 15:24

Shkup – Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Musa Xhaferi, të enjten, në Nju Jork, do të marrë pjesë në Samitin e Udhëheqësve të Ballkanit, “Një Vizion për të ardhme të përbashkët”, organizuar nga Federata e Shoqatave Ballkano-Amerikane.

Nëpërmjet Samitit vjetor të Udhëheqësve të Ballkanit, Federata e Shoqatave Ballkanike-Amerikane, shpreson të realizojë misionin e tij për të ndarë trashëgiminë Ballkanike të tolerancës dhe mirëkuptimit me udhëheqësit e botës, presidentët, kryeministrat si dhe drejtuesit e bizneseve dhe ato fetarë, gazetarë, artistë, studiues, dhe profesionistët që mbulojnë një spektër të gjerë të fushave të ndryshme.  Qëllimi i këtij programi është të ndihmojë në krijimin e qëllimeve dhe idealeve të përbashkëta në Ballkan.

Në këtë samit, midis të tjerëve do të marrin pjesë edhe kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, ai i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Republikës së Turqisë, Taip Erdogan.

Ndërkohë, të premten, më 23 shtator 2011, në Nju Jork, zv/kryeministri Xhaferi do të marrë pjesë në mbrëmjen gala, të quajtur “Gala Aëards”, të cilën e organizon Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA) me rastin e 15- vjetorit të themelimit të kësaj organizate. Këtë vit KKSHA nderon ish-kryeministrin britanik, Tony Blair, me çmimin “Duart e Shpresës” – për kontributin e tij historik që dërgoi në pavarësinë e Kosovës.

KKSHA në këtë eveniment do të kujtojë dhe nderojë jetën e ambasadorit Riçard Hollbruk, një diplomat amerikan dhe i dërguari i posaçëm presidencial për Ballkanin – për guximin e tij të jashtëzakonshëm diplomatik për të sjellë paqe për njerëzit e Ballkanit.

Programi gala i vitit 2011 do të përkujtoje 20-vjetorin e ripërtërirjes se marrëdhënieve SHBA-Shqipëri. Sipas Sekretares së Shtetit të SHBA-së, Hillari Rodham Klinton, “ky përvjetor përkujton partneritetin tonë, na përkujton përparimin e bërë dhe nënvizon premtimin per të ardhmen e Shqipërisë… derisa ne vazhdojmë të punojmë së bashku, për njëzet vitet e ardhshme dhe më shume se aq.” (LajmeShqip.com)