Lajme Shqip Wednesday, 21 September 2011 15:15

Tiranë- Cirku i Metropolit do të rigjallërohet nga performancat artistike të premierës së re “Vallja e yjeve”, që do të çel sezonin e ri artistik.

Në datën 1 dhe 2 tetor, të gjithë adhuruesit e artit magjik të cirkut do të kenë mundësi të shikojnë shfaqjen e re të trupës artistike të Cirkut të Metropolit, me një larmi numrash artistik dhe performancash nga artistët e njohur, por edhe të rinj.

Do të performojnë akrobatët dhe artistët: Stela Blloshmi, Kujtim Dumi, Ali Jucja, Vilson Gjoca, Novruz Hyseni, Fitnete Ruçi, Sokrat Buzo, Pranvera Sallata, Alush Ilijani, Brunilda Koka, Loreta Lika, Daniela Daci, etj, si dhe fëmijët e studios së cirkut.

“Vallja e Yjeve” vjen nën udhëheqjen artistike të mjeshtrit Fatos Roshi, ndërkohë që në programin e saj janë të përfshira të gjitha zhanret tradicionale të cirkut si numrat e shpejtësisë, numrat me kafshë, xhonglimi, kllounata, akrobacia dhe numrat e lartësisë.
“Vallja e yjeve” do të shfaqet çdo të shtunë dhe të diel, ora 11:00, në arenën e Cirkut të Metropolit.

Kjo shfaqje është premiera e rradhës e Cirkut pas “Përpëlitje në mjegull” që u shfaq për publikun e kryeqytetit deri në fund të muajit qershor.