Lajme Shqip Wednesday, 21 September 2011 15:09

Itali- Shkrimtarja shqiptare me banim në SHBA, Elvira Dones prezanton këtë fundjavë, në Milano dhe Torino të Italisë, romanin e saj të fundit, “Piccola guerra perfetta”.

I botuar në Itali në pranverën e vitit 2011, romani i kushtuar ngjarjeve të luftës së Kosovës ka tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut dhe të kritikës. I sjellë në italisht me një parathënie të Roberto Savianos, librit i është bërë jehonë në mediat kryesore të shtetit fqinj.

Këndvështrimi i masakrës së vitit 1999 në Kososvë, në romanin e Elvira Donesit, është kryesisht ai femëror. Bazuar mbi dëshmitë e grave kosovare, Dones trasformon dokumentet në një material “të nxehtë”, dhe paraqet nëpërmjet filtrit trillues, kompleksitetin dhe dhimbjen e viktimave.

Veprimtaritë, të organizuara nga Qendra e Kulturës Shqiptare do të zhvillohen në Milano, pasditen e të premtes, 23 shtator, në mjediset e Bibliotekës Sormani ndërsa të nesërmen në Torino, në Bibliotekën Italo Calvino.

Prezantimi i librit do të drejtohet nga gazetari Benko Gjata gjithashtu do të jenë të pranoshëm konsullit shqiptar Gjon Coba, studjuesit  Guido Franzinetti, Silvio Ziliotto, Nanni Sallio dhe Donatella Sasso, etj.

Aktiviteti do të pasurohet nga shoqërimi muzikor i artisteve Lindita Kopliku në piano dhe Diana Subashi në violinë.

Elvira Dones ka botuar romanin e saj të parë në vitin 1997 me titull “Dashuri e huaj”, i përkthyer në gjuhën italiane.

Ajo është gjithashtu autore e nëntë veprave narrative.

Qëndra e Kulturës Shqiptare synon të përhapë në Itali njohurinë e historisë dhe të kulturës shqiptare, të mbështesë procesin e integrimit të bashkëisisë shqiptare dhe të promovojë zhvillimin e marrdhënieve kulturore, sociale dhe institucionale mes dy vendeve.