Tiranë – Regjistrimi i pallateve të reja është në rrugë pa krye. Burime nga Shoqata e Ndërtuesve thanë sot se problemi është shumë i ndërlikuar dhe kërkon një ndërhyrje politike. Në të kundërt, nuk do të ketë një zhbllokim të shpejtë të situatës.
Ndërtuesit presin nga kryetari i ri Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, të angazhohet për të mbajtur premtimin elektoral për regjistrimin e pallateve të reja në kryeqytet. Ndërtuesit më herët gjatë këtij viti ishin angazhuar të mundësonin zgjidhjen e këtij problem duke propozuar një projektligj të veçantë. Por, deri tani kjo përpjekje ka dështuar dhe burimet bëjnë të ditur se çështja është më e vështirë se ç’parashikohej. Sipas tyre, problematika që kërkon zgjidhje përfshin kompetencat e disa institucioneve dhe ndërthurret në një pjesë të madhe me probleme të pronësisë së tokës.
Në shumë raste, kanë lindur mosmarrëveshje mes pronarëve të tokës dhe ndërtuesve, ndërsa në raste të tjera, janë verifikuar probleme me dokumentacionin e pronësisë. Regjistrimi i pallateve të reja u përfshi në skemën e legalizimeve dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre e kanë marrë nga ALUIZNI lejen e legalizimit.
Por, me kërkesën e Ministrisë së Financave, Zyrat e Regjistrimit të Pasurive kanë bllokuar regjistrimin, deri në momentin kur subjektet ndërtuese të kenë shlyer të gjitha detyrimet ekzistuese tatimore. Kjo është kundërshtuar nga ndërtuesit, me argumentin se shumë detyrime nuk lidhen me ndërtimin që është objekt regjistrimi, madje një pjesë e mirë e tyre kanë lindur në periudha të mëvonshme. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 21 September 2011 14:05