Lajme Shqip Wednesday, 21 September 2011 13:48

Prishtinë – Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të vulave doganore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Bruksel më 2 shtator, kurse nga eksportuesit kosovarë kërkon të pajisen me dokumentacion të institucioneve paralele serbe.

Përderisa Kosova vazhdon të respektojë marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të vulave doganore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pala serbe vazhdon ta shkelë atë, ndërkaq nga eksportuesit kosovarë kërkon të pajisen me dokumentacion të institucioneve paralele serbe në zyrat ekzistuese në Mitrovicë dhe Ranillug.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, thotë se çështja e vulave dhe dokumenteve përcjellëse të mallrave është saktësuar qartë në marrëveshjen e arritur në Bruksel.

“Ka qenë shumë e qartë edhe në konkluzat e 2 shtatorit, që marrëveshja e cila është pranuar në Bruksel, përfshin vulat e doganave të Kosovës, pa asnjë ndryshim, dhe dokumentet përcjellëse. D.m.th. nuk ka asnjë arsyetim për mospranimin, gjegjësisht kjo është një arsyetim i palës serbe për të qenë në njëfarë forme në një lojë politike edhe me këtë çështje e cila është vlerësuar teknike dhe si e tillë ka mundur të zbatohet që nga java e kaluar, ditën e premte kur pala kosovare ka filluar ta zbatojë marrëveshjen”.

Që nga e premtja, vetëm dy kamionë të kompanisë “Sharrcem” e kaluan kufirin me Serbinë të martën, por që u kthyen një ditë më pas, pasi nuk kishin dokumentacion të institucioneve paralele serbe. Ministrja Kusari-Lila thotë se kjo paraqet shkelje të dyfishtë, dhe fton eksportuesit që të tentojnë sërish të eksportojnë në Serbi. Që nga e premtja, kur është hequr reciprociteti ndaj Serbisë, në Kosovë kanë hyrë rreth 300 kamionë me mallra serbe. (LajmeShqip.com)