Lajme Shqip Wednesday, 21 September 2011 11:16

Nju Jork- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit në Nju Jork, për punimet e Sesionit Vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, po zhvillon takime me liderë dhe krerë të shteteve nga vende të ndryshme të botës, për t’i njohur më afër me zhvillimet në Republikën e Kosovës.

Sipas njoftimit të dhënë mbrëmjen e djeshme nga zyra e shtypit e qeverisë kosovare, në kuadër të kësaj vizite zyrtare në SHBA, Kryeministri Thaçi u takua me ish-presidentin Klinton, të cilin e njohu me zhvillimet e fundit në Kosovë.

Ndërsa ish-Presidenti Klinton e përgëzoi kryeministrin Thaçi për zhvillimet dhe ofroi përkrahjen e tij.

Gjatë sesionit të paradites në Takimin Vjetor të Iniciativës Globale të Klintonit, Kryeministri Thaçi gjithashtu u takua edhe me Presidentin e Republikës së Afrikës së Jugut, Jakob Zuma, ku biseduan për zhvillimet në Kosovë.

Kryeministri Thaçi edhe njëherë i drejtoi atij kërkesën për njohjen e Republikës së Kosovës.
Kreu i qeverisë së Kosovës, Thaçi në vazhdën e takimeve me krerë të shteteve, që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, u takua sot edhe me Presidentin e Republikës së Meksikës, Felipe Kalderon, të cilin gjithashtu e njohu me zhvillimet në Kosovë dhe theksoi edhe njëherë kërkesën për njohjen e saj nga Meksika.

Në vazhdim, Kryeministri Thaçi u takua edhe me Presidentin e Sllovenisë, Danilo Turk. Në këtë takim vjetor, Kryeministri Thaçi gjithashtu pati takime edhe me Kryeministrin e Kuvajtit, Sheikun Nasser Al-Mohammad Al-Ahmad Al-Sabah, Kryeministren e Bangladeshit, Sheiken Hasina Ëazed, si dhe Kryeministrin e Sri Lankës, D.M Jayaratne, ku tema kryesore në takime ishte informimi mbi zhvillimet në Kosovë, si dhe njohja zyrtare e Republikës së Kosovës nga këto shtete.

Kryeministri Thaçi u takua edhe me Kryeministrin e Malit të Zi, Igor Luksic.