Lajme Shqip Wednesday, 21 September 2011 10:36

Dy ditë pasi kryetari i PS-së Edi Rama i kërkoi  prokurorisë së përgjithshme të marrë si të pandehur Genc Rulin për aferat e kromit gjatë kohës kur ai ka qenë në kryete të METE-s, ka reaguar vetë i akuzuari duke e ftuar liderin socialist që faktet t’i dërgojë në prokurori.

Korrupsioni sipas Rulit nuk mund të luftohet me shpifje ndërsa ka shtuar se “Rama po ndjek rrugë tjetër nga ai i hetimit të Prokurorisë.Prokuroria heton me fakte jo me editoriale sic po shkruan ai kohët e fundit. Korrupsioni nuk luftohet me mllefe po me hetime serioze.Rama i ka të gjitha mundësitë ti përdorë institucionet dhe faktet që ka”.

Ministri Ruli tha se shumë shpejt do zbardhet ky mega skandal i minierës së Bulqizës, siç thotë Rama, ndërsa shtoi se, kryesocialisti do dështojë sërish.

“I kujtoj Ramës se kam hyrë në politikë kur kishte ende ideale dhe besoj se kam ende sot. I kujtoj Edi Ramës se nuk kam ardhur në politikë i dështuar në profesionin tim. E siguroj se vazhdoj të mbetem kockë e sertë për intrigat e tij. Bindem gjithmonë e më shumë se i ke hyrë një rruge pa shpresë, që ti e quan një kurs të ri, për të goditur të gjitha institucionet dhe politikanët. Si çdo herë tjetër je nisur drejt dështimit o politikan”, vijoi Ruli replikën ndaj liderit socialist.