Kryeministri Sali Berisha ka qenë personaliteti i ftuar i datës 20 shtator për të shënuar ceremoninë simbolike të mbylljes së ditës në Bursën e njohur të Nju Jorkut NASDAQ.
Prania e kryeministrit në përfundim të ditës së aktivitetit në NASDAQ nuk ka qenë dhe me aq fat për bursën e njohur pasi në fund të ditës ajo ka mbyllur me minus 0.09%.
Ceremonia ka filluar në orën 15.45 me orën lokale të Nju Jorkut dhe ka zgjatur për më tepër se 30 minuta, ndërsa është transmetuar në ekranin kryesorë të bursës që ndodhet ne Times Square.
Fillimisht fjalën e ka marrë zëvendësdrejtori i bursës i cili bëri një prezantim të shkurtër të karrierës së kryeministrit Berisha nga vitit 90 deri në ditët e sotme.
Më pas fjalën e mori kryeministri Sali Berisha i cili e vleresoi bursën e NASDAQ si një tempull të madh dhe tregun e madh të ideve ku ëndrrat bëhen realitet.
“Është një nder i madh për t’i rënë ziles së përfundimit të njërës prej bursave më të mëdha të botës që është një tempull inspirimi dhe nje treg i madh i ideve dhe i endrrave qe behen realitet. Për mua është një nder i madh dhe inspirim po aq i madh. Unë prezantoj një vend që 20 vjet më parë ishte totalisht i mbyllur ndërsa sot është një vend që ka ndryshuar plotësisht falë lirisë”-ka deklaruar kryeminsitri shqiptar.
Pas fjalës përshëndetëse, shefit të qeverisë Berisha i’u dorëzua edhe trofeu që shënon pikërisht praninë e Kryeminsitrit Berisha në ceremonin e mbylljes së ditës së bursës.
Në fund, ceremonia e rënies së ziles që shënon edhe perfundimin zyrtar të dites së aktivitetit të bursës, ku butonin e shtypi pikersiht kryeministri Berisha i cili shoqërohej në këtë eveniment edhe nga zonja e tij Liri Berisha dhe delegacioni që e shoqëron në Nju Jork ku po merr pjese në sesionin e 66 te asamblesë së përgjithshme të OKB-së…
Wednesday, 21 September 2011 10:15