Tiranë – Kongresmeni amerikan Eliot Engel, i cili mori pjesë në punimet e Forumit të Investimeve SHBA-Shqipëri, u shpreh në një prononcim për mediat shqiptare në New York, se tashmë në Shqipëri kemi një klimë mjaft të favorshme për investime.
“Jam një mik i Shqipërisë, dhe pak vite më parë klima e biznesit në vend ka nisur të përmirësohet, ndërsa tani kemi një klimë mjaft të favorshme për investime”, tha Engel.
Ai u bëri thirrje bizneseve në SHBA të investojnë në këtë vend. “Shqipëria, nga një diktaturë izoluese e represive komuniste, është bërë një vend demokratik, anëtar i NATO-s dhe shpresojmë që sa më shpejt të integrohet në Bashkimin Europian. Shqipëria prej kohësh ka shfaqur simpatinë dhe miqësinë ndaj Shteteve të Bashkuara. Ndaj dhe dua ta ndihmoj këtë vend dhe jam i lumtur që aktualisht po e bëj këtë, duke qënë i pranishëm në këtë konferencë”, tha Engel.
Engel foli edhe për zgjedhjet e fundit në vend. Sipas tij, zgjedhjet janë gjithnjë të vështira.
“Kemi fitues dhe humbës. Kur humb je i irrituar dhe i mërzitur. Në vitin 2000 në Shtetet e Bashkuara kemi pasur zgjedhje të kontestuara presidenciale, por pala humbëse e kuptoi që demokracia është më e rëndësishme sesa interesi personal. Ndaj shpresoj që edhe në Shqipëri, demokracia dhe sundimi i ligjit të respektohen. Duhet të përdoren institucionet demokratike kushtetuese për të zgjidhur këto probleme. Populli duhet të kuptojë se jo të gjitha demokracitë janë perfekte. Kështu, në kontekstin e demokracisë mund të ketë pakënaqësira dhe njerëzit u turren zgjedhjeve e i quajnë ato të pavlefshme. Por ka mekanizma demokratike që duhet të përdoren për të ballafaquar e vlerësuar këto rezultate. Ashtu si në SHBA, edhe në Shqipëri, kjo gjë është e vlefshme. Aty institucionet demokratike duhet të luajnë rolin e tyre”, theksoi kongresmeni amerikan, Eliot Engel.
Tuesday, 20 September 2011 19:31