Lajme Shqip Tuesday, 20 September 2011 17:05

TIRANË,  Gazsjellësi i Trans Adriatikut ,”Trans Adriatic Pipeline AG”, projekt, i cili hyn në territorin tonë nga Greqia, për të vazhduar në Bilisht, Skrapar, Berat, Fier dhe Vlorë, dhe nëpërmjet detit në Itali, për të përfunduar rrugëtimin e tij, në tregun europian, nga dita e djeshme ka sjellë specialistët e saj në vendin tonë, në rrethin e Korçës, ku po zhvillohen një sërë takimesh, me përfaqësues të pushtetit lokal dhe vendor për të studiuar fizibilitetin dhe impaktin mjedisor e social të këtij projekti.


Sipas burimeve zyrtare të TAP, konfirmuar dhe nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, përfaqësues të Trans Adriatic Pipline, kanë nisur ditën e hënë takimet në Korçë, për të biseduar dhe diskutuar me komunitetin dhe grupet e interesit, impaktin mjedisor dhe social që ka ndërtimi i gazsjellësit, një pjesë e të cilit kalon në territorin e këtij qarku.

Pas dy vitesh studime dhe analiza për të përzgjedhur gjurmën e përshtatshme për tubacionin, Trans Adriatic Pipeline, po kryen aktualisht studime mbi ndikimin mjedisor dhe social të detajuar dhe të integruar, që do të kryhet nga ekspertët shqiptarë dhe të huaj, në pajtim me ligjin shqiptar dhe në përputhje me politikat mjedisore dhe sociale të BERZH (Banka Europiane për Rindërtim dhe  Zhvillim).

Trans Adriatic Pipeline është një projekt që parashikon transportimin e gazit natyror nga deti Kaspik në Europë, duke kaluar edhe nëpërmjet territorit të vendit tonë, në shtrirjen e linjave të gazit deri në detin Adriatik në veri perëndim të Fierit për të vijuar në Itali, e më pas në tregun europian.
Në territorin e Shqipërisë ky tubacion do të hyjë nga Greqia në Qarkun e Korçës, për të vazhduar në rrethin e Skraparit, Beratit dhe do të përfundojë në rrethin e Fierit.

Ky projekt, marrëveshja e të cilit u nënshkrua gjatë muajti Korrik në Tiranë nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço dhe Drejtori i “TAP”, Barnim Piechoroëski, u konsiderua nga ministri si “bazë për rrugëtimin e vendit tonë drejt objektivit madhor, Shqipëria fuqi energjetike në rajon”.

Projekti, gjithashtu u mbështetet dhe nga BE-ja si një projekt prioritar në drejtim të rrjetit transeuropian të energjisë dhe si kontribut i objektivave dhe politikave të BE-se në mbështetje të krijimit të diversifikimit dhe sigurisë në furnizimin me energji elektrike dhe gaz.