Lajme Shqip Tuesday, 20 September 2011 15:40

Tiranë – Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda dha sot vendimin për anëtarët e dyshuar të “Bandës së Lushnjës”.

Në seancën e zhvilluar sot, Gjykata e Apelit vendosi lirimin e shtetasit Afrim Hoxha, i cili ishte dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë me 18 vjet burg.  Ndërkohë që i akuzuari Rexhep Gina u dënua me 10 vjet burg nga 16 vjet që ishte dënuar me parë.

Në këtë seancë, Gjykata e Apelit vendosi të lërë në fuqi vendimin për Arben Boriçin dhe Ilir Stërgun, me burgim të përjetshëm. Kjo Gjykatë vendosi po ashtu dënimin me 25 vjet burg të Erjon Cicit, 6 vjet për Jorgo Muzakën dhe 5 vjet për të akuzuarin tjetër Arjan Alico.

Të akuzuarit si anëtarë të “Bandës së Lushnjes”, akuzohen për disa vepra të rënda penale, si vrasje të kryera në kuadër të organizatës kriminale disa vjet me parë, në vendin tonë. Ndërkohë, në proces gjykimi në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda është edhe i akuzuari si kreu i “Bandës së Lushnjes”, Aldo Bare.