Tiranë – Lideri i opozitës Edi Rama mblodhi sërish tryezën e të majtës për të diskutuar dy çështje kryesore, kodin zgjedhor dhe situatën e grevistëve.
Në përfundim të këtij takimi, zëdhënësi politik i opozitës deklaroi se “dy ishin problemet kryesore që diskutoi tryeza e opozitës. Sëpari ishte diskutimi për reformën zgjedhore ku të pranishëm ishin edhe të mandatuarit e PS-së. Kryetarët e partive të koalicionit shfaqën mendimet e tyre. Synimi i përbashkët është që të shkohet drejt një kodi zgjedhor gjithpërfshirës me qëllim që të ketë më shumë transparencë dhe të maksimalizohet fuqia elektorale e subjekteve dhe zhvillimi i zgjedhjve të lira dhe të ndershme.
Partitë pjesëmarrëse në këtë tryezë ranë dakord të punojnë si një subjekt politik unik. Sot ka nisur puna dhe është një proces që do të vazhdojë”.
Më tej Zogaj foli edhe për shqetësimin e opozitës në lidhje me grevën e minatorëve në Bulqizë. “Opozita ndjek me shqetësim grevën e minatorëve dhe për këtë opozita do të jetë kontakt me minatorët për t’i mbështetur një zgjidhje përfundimtare që i jep fund kësaj drame”-deklaroi Zogaj.
Përsa i përket mungëses në takim të socialdemokratit Skënder Gjinushi dhe kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule, Zogaj sqaroi se nuk kishte asnjë mungesë politike pasi Gjinushi e Dule ndodhen jashtë Shqipërisë. “Të dy kryetarët ishin të përfaqësuar në këtë tryezë”-përfundoi Zogaj.
Tuesday, 20 September 2011 14:09