TIRANË -KESH (Korporata Elektroenergjetike Shqiptare) është e përgatitur për të përballuar dimrin, pasi ka mbaruar remontet në digat e hidrocentraleve kryesore, ndërsa përballet me një vit ndër të thatët nga reshjet si dhe kërkesë të rritur për energji nga konsumatorët, që llogaritet me 5% më shumë në vit.
“Gjatë verës kemi rënie të prurjeve, ndërsa në vitet e fundit shënohet rritje e theksuar e kërkesës për energji edhe në verë deri ne 5%, çka rrit kërkesën në vlerë monetare për energjinë e nevojshme në dimër”, thotë në një intervistë për ATSH-në, Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Engjëll Zeqo.
“Kemi shfrytëzuar stinën e verës për remontet në periudhën qershor-shtator për t’i parapirë muajve të dimrit, ku kërkesa për energji dhe prurjet e ujrave në HEC-e janë më të larta. Kemi përfunduar gjithë remontet e nevojshme të të gjitha agregateve në hidrocentralet Fierzë, Koman e Vau i Dejës”, thotë Zeqo.
Tashmë KESH ka në pronësi vetëm HEC-et e kaskadës së Drinit dhe Bistricës, pasi ato të Ulzës dhe Shkopetit kanë hyrë në proces privatizimi.
Kështu, sipas Zeqos, përveç remonteve të parashikuara në HEC-et e kaskadës së Drinit, janë bërë edhe punime të tjera, si ndërhyrja në pjesën e poshtme të biefit në HEC-in e Fierzës me zgjerimin e urës, për t’i dhënë akses më të madh për kalimin e ujit gjatë prurjeve të mëdha në kohën e shirave.
“Kemi kryer remonte tek portat e shkarkimit dhe janë bërë provat, pasi në momentet kur prurjet janë të mëdha, na duhet të operojmë me portat, çka përbën garancinë numër 1, ndërkohë që gjithë agregatët janë në punë me eficencë të plotë për të mos lejuar humbjet e ujit”, tha Zeqo.
Për të, ky menaxhim e ka kthyer sasinë e ujit të gjithin në energji, sikurse është dëshmuar vitet e fundit me sasinë e energjisë së prodhuar, që ka dhënë shifra rekord të saj.
Një ndër objektivat e punës në KESH është siguria e digave, për të cilat KESH po zbaton projekte të posaçme, të cilat arrijnë shumën prej 35 milionë euro.
Për përballimin e këti ndryshimi, importi i energjisë që KESH bën bashkë me CEZ, aktualisht arrin në 8 milionë kwh/ditë, ndërsa konsumi, 18.5 milionë kwh/ditë.
“Ka rritje të konsumit shumë të madh që në gusht arriti në 19 milionë kwh/ditë dhe në shtator, deri tani arrin në 18.5 milionë kwh/ditë.
Po t’a krahasosh me 2007, kur sasia prurjeve ishte e ngjashme, konsumi arriti në 12 milionë kwh/ditë, çka tregon se sot konsumohet një rritje e energjisë prej 6.5 milionë kwh/ditë më shumë”, shpjegon Zeqo.
Ndërsa këtë fakt e lidh me temperaturat e larta dhe rritjen e mirëqënies, ai thekson se së fundi CEZ ka kërkuar ndryshim dhe rritje të sasisë së energjisë elektrike për konsumatorët.
“Energjia që CEZ ka marrë në krahasim me atë që ka kërkuar, ndryshon, pasi në fillimvit ajo kërkoi nga KESH sasinë vjetore prej 4.3 milard kwh, ndërsa sot kjo shifër duhet në kuotën vjetore 5 miliard kwh.
Pra, kjo thatësirë po na detyron të importojmë më tepër, çka do të sjellë humbje për KESH, pasi energjia do blihet më shtrenjtë, por do t’i jepet CEZ-it me çmimin në kontratë”, shpjegon Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Engjell Zeqo.
Dhe si të mos mjaftojë planifikimi jo i saktë i CEZ-it për kërkesën vjetore të energjisë, sot KESH-i përballet dhe me një borxh të konsiderueshëm që i ka kompania ceke për energjinë.
“Aktualisht, CEZ i detyrohet arkës së KESH-it me një borxh që arrin në shumën prej 50 milionë euro të pashlyer që nga muaji tetor 2010-Korrik 2011”, thotë Zeqo.
Këto arsye, sipas tij, e detyrojnë KESH-in që këto humbje, të mund t’i rekuperojë me aplikimin e ri që ka bërë për tarifat për 3 vitet në vijim pranë ERE-s.
Tuesday, 20 September 2011 11:59