Lajme Shqip Tuesday, 20 September 2011 08:35

Prishtinë – Ministrja e Integrimit Europian, Vlora  Çitaku, gjatë vizitës së djeshme në Bruksel, u takua me Komisionerin për Zgjerim dhe Politikën e Fqinjësisë, Stefan Füle dhe Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Zgjerimin, Pierre Mirel, gjatë të cilave u diskutua rreth marrjes së udhërrëfyesit për procesin e liberalizimit të vizave si dhe progresi dhe sfidat në kuadër të Raportit të Progresit 2011.

Zyra e shtypit e Ministrisë së Integrimit bëri të ditur se në këto takime, ministrja Çitaku vuri në dukje progresin e institucioneve të Kosovës në adresimin e çështjeve prioritare në axhendën e integrimit europian.

Ministrja Çitaku deklaroi se “pikë kyçe e takimeve ishte përmbajtja e Raportit të Progresit 2011. Në takimin e sotëm unë i përcolla Komisionerit Füle pikëpamjet e Qeverise mbi punën e mirë që është bërë në nivelin qendror dhe lokal, dhe jam e bindur që do të kontribuoj në hapjen sa më të shpejtë të dialogut për liberalizimin e vizave”.

“Ne gjithashtu diskutuam nevojën për qasje më të mirë në tregjet evropiane për bizneset kosovare përmes zgjatjes së Masave Autonome  Tregtare. Unë po ashtu përsërita kërkesën tonë për marrëdhënie kontraktuale me BE-në datën më të hershme të mundshme”, tha ndër të tjera ministrja Çitaku.

Nga ana e tij Komisioneri Füle përshendeti angazhimin personal të ministres Çitaku në promovimin e axhendës europiane në Kosovë. Ai tha se Qeveria ka fuqizuar rolin e saj në koordinimin dhe menaxhimin e procesit të Stabilizim Asociimit. Lidhur më dialogun per procesin e liberalizimit të vizave, z. Fule tha se misioni i ekspertëve ka përfunduar javen e kaluar vizitën lidhur me riintegrimin e personave te riatdhesuar dhe se shpejti presim mendimin raportin lidhur me këtë çështje. Komisioneri theksoi se pret miratimin e Masave Autonome Tregtare së shpejti per Kosovën. Komisioneri konfirmoi përkrahjen e Komisionit Evropian në kuadër të perspektivës Europiane të Kosovës.