Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton,
deklaroi gjatë takimit me krerët kryesore të shtetit të Kosovës se SHBA-ja, mbështet fuqimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe shtrirjen e autoritetit në gjithë territorin e saj.
“Bashkëpunimi me Bashkimin Evropian dhe misionin e tij në Kosovë për rendin dhe ligjin, EULEX, është i një rëndësie të veçantë dhe kjo shënon një përparim pozitiv”, theksoi Clinton.
Në takimin e zhvilluar me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministrin Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrin e parë, Behgjet Pacolli, në fjalën e saj Clinton inkurajoi autoritetet e Kosovës që të vazhdojnë të punojnë ngushtë me këtë mision, duke shtuar se është me rëndësi marrëdhënia e afërt me Bashkimin Evropian.
Ajo më tej shtoi se SHBA-ja do të vazhdojë angazhimin e saj për të ndihmuar Kosovën në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane. Ndër të tjera Clinton theksoi se dialogu me Serbinë është e vetmja rrugë përpara.
Po ashtu, sekretarja amerikane e shtetit përshëndeti përkushtimin e Kosovës për këtë proces. Ajo siguroi delegacionin e vendit se SHBA-ja po vazhdon t`i inkurajojë shtetet e tjera që të njohin pavarësinë e Kosovës.
Sekretarja amerikane e Shtetit e inkurajoi thellimin e reformave të brendshme në Kosovë dhe i dha përkrahje Presidentes Jahjaga në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Gjatë takimit, Presidentja Jahjaga e falënderoi Sekretaren Clinton për mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm që SHBA-së po e japin në procesin e shtetndërtimit në Kosovë dhe për konsolidimit të mëtejshëm të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Presidentja po ashtu e njoftoi Sekretaren Clinton për progresin e arritur në Kosovë dhe kërkoi mbështetjen e SHBA-së për ta ndihmuar Kosovën në procesin e integrimeve evropiane dhe Partneritetin për Paqe.
“Aksioni në tri komunat veriore është ndërmarrë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë si dhe me EULEX-in e KFOR-in, dhe ai ka për qëllim zbatimin e marrëveshjes për vulat doganore dhe është në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë Jahjaga.
Ajo më tej shtoi se institucionet e vendit janë të përkushtuara që të vendosin rendin dhe ligjin në veriun e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Presidentja Jahjaga në fund kërkoi ndihmën amerikane që të punojë me BE-në për t`i ofruar vendit agjendën evropiane”.
Monday, 19 September 2011 21:18