Kumanovë – Nga dita e hënë (sot) Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Maqedoni hyri në grevë urie, për shkak të dhjetëra aktgjykimeve të padrejta ndaj shqiptarëve. Greva zhvillohet në zyrat e reja të ISHR-IGFM-së, në qendër të Kumanovës.
Në grevë kanë hyrë kreu i IGFM-së për Maqedoni dhe anëtarët e familjeve të Brodecit, Manastirit, Opajës etj. Njëkohësisht, sipas kreut të kësaj organizate, grevën e kanë filluar edhe të gjithë të burgosurit tjerë nëpër burgjet e Maqedonisë, të cilët janë dënuar padrejtësisht me dhjetra vite por edhe me burgim të përjetshëm.
“Tanimë një kohë të gjatë, IGFM-ja ka ngritur zërin për padrejtësitë e shumta që po u bëhen shqiptarëve të Maqedonisë me gjykime të padrejta. Kemi reaguar në të gjitha forumet e larta në vend dhe jashtë për këto padrejtësi, por fatkeqësisht deri më tani zëri jonë ka hasur në vesh të shurdhër. I kemi informuar edhe organet më të larta të drejtësisë ndërkombëtare, siç është Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg. Konsiderojmë se Maqedonia, si nënshkruese e të gjitha konventave për të drejtat e njeriut, Konventës për gjykim të drejtë dhe mosdiskriminim, të njëjtat deri më tani nuk i ka respektuar kur kanë qenë në pyetje shqiptarët, të cilët edhe më tej vazhdojnë të dënohen edhe me dënime të përjetshme. Kërkesa jonë është lirimi i të gjithë të dënuarve të pafajshëm ose më së paku rishqyrtimi i këtyre rasteve nga ana e organeve të drejtësisë”, thonë nga kjo organizatë.
Rastet për të cilat protestohet me grevë urie, sipas tyre, janë rasti i Brodecit, rasti i Rexhail Qerimit nga fshati Opajë i Kumanovës, ai i Agim Islamit nga fshati Rashçe e Shkupit dhe ai i Almir Derlanjit nga Shkupi, të cilët më 30 prill 2010 u dënuan me burgim të përjetshëm për gjoja vrasjen e një pjesëtari të njësitit policor “Alfa”, rasti i Harun Aliut dhe dënimet me burgim të përjetshëm të Ismail Etemit dhe Bashkim Bajramit, lidhur me gjoja vrasjen e një polici në Shkup, dënimet me burg të përjetshëm të Nehad Sulejmanit dhe Suad Jusufit nga Shkupi rasti i Manastirit, rasti i Sopotit, rasti i Bajrush Sejdiut, presioni ndaj medieve, pastaj mosrregullimi i statusit të shqiptarëve pjesëmarrës në konfliktin luftarak të 2001-shit si dhe diskriminimi në dhënien e shtetësisë së shqiptarëve të Maqedonisë, diskriminimi në arsim, kulturë etj. (LajmeShqip.com)
Monday, 19 September 2011 19:03