Lajme Shqip Monday, 19 September 2011 17:48

Në ditën e parë të vizitës në New York, Kryeministri Berisha mori pjesë në Forumin e Parë të Investimeve SHBA-Shqipëri, me pjesëmarrjen e rreth 100 kompanive dhe sipërmarrjeve amerikane.

Sesioni i parë i këtij Forumi u hap nga Eneida Guria, Drejtore e Agjencisë për Investimet dhe Zhvillimin (AIDA). Gjatë këtij sesioni u shfaq edhe një video promovuese të Shqipërisë, natyrës dhe potencialeve të saj.

Forumi, i parë i këtij lloji që mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u prit me interes të madh nga përfaqësuesit e kompanive dhe grupeve financiare amerikane që e ndoqën atë. Një pjesë e tyre kanë projekte konkrete që pritet t’i prezantojnë në Shqipëri.

Ndër kompanitë dhe grupet financiare më të mëdha të pranishme ishin Google, Coca Cola,  kompania minerare Alcoa, American Express që ofron shërbime financiare, Bechtel, kompania e sigurimeve dhe shërbimeve financiare Chartis, UBS, Patton Boggs, Marriot Group, Behre Dolbear, Morgan Stanly etj.

Kryeministri Berisha bëri një prezantim shumëplanësh të zhvillimit ekonomik të vendit dhe treguesve ekonomiko-fiskalë, reformave ekonomike, fiskale dhe dixhitalizimit të procedurave administrative të ndërmarra nga qeveria shqiptare, në funksion të bërjes së vendit sa më tërheqës për investimet e huaja, e dëshmuar nga niveli i lartë i rritjes së investimeve të huaja në vend, si dhe të potencialeve zhvillimore të vendit në të gjitha fushat, në pasuritë e saj të mëdha natyrore, në infrastrukturë, në energjetikë, në fushën e turizmit etj.

Kryeministri ftoi sipërmarrësit amerikanë të investojnë në Shqipëri, duke i garantuar ata se do të jenë të mirëpritur, do të gjejnë një mjedis shumë miqësor për investimet dhe projektet e tyre do të jenë një histori suksesi.